Putin: muzika rap ka nevojë për kontroll nga autoritetet ruse
I alarmuar nga rritja e popullaritetit të muzikës rap mes të rinjve, presidenti rus Vladimir Putin thotë se dëshiron që udhëheqësit kulturorë të krijojnë një mënyrë kontrolli, në vend që ta ndalojnë plotësisht atë lloj muzike. Komentet e Putinit vijnë pas disa rasteve të ndalimi të koncerteve të disa muzikantëve të famshëm në Rusi nga autoritetet ruse, lëvizje që disa njerëzve u kujton çensurën e kohës sovjetike.
Duke folur të shtunën në një takim në Shën Petersburg me këshilltarët kulturorë, Putin tha rreth muzikës rap se “nëse nuk është e mundur të ndalet, atëherë duhet ta udhëheqim dhe ta drejtojmë”.
Megjithatë, ai shtoi se përpjekjet për të ndalur artistët të interpretojnë këtë zhanër të muzikës do të kenë një efekt të kundërt dhe do të shtojnë popullaritetin e tyre.
Reagimet ndaj idesë së Putinit ishin të përziera mes të rinjve që jetojnë në kryeqytetin e Rusisë.
“Ata që këndojnë rap, këndojnë për gjëra që ndikojnë në opinionet e njerëzve për qeverinë. Pra, ideja e Putinit tregon se autoritetet kanë frikë nëse muzikantët këndojnë për të vërtetën”, tha banorja e Moskës Ana Ten për Associated Press.
Një banore tjetër, Yulia, tha se ajo nuk ishte kundër idesë së autoriteteve ruse për të kontrolluar atë që muzikantët po krijojnë.
“Lëvizja e muzikës rap në Rusi nuk është aq e zhvilluar. Ndryshimi mes asaj në Amerikë dhe në Rusi është se e jona është e ashpër, dhe nëse ka nevojë për pak udhëheqje, lëri ta udhëheqin” tha ajo.
Komentet e Putinit – të cilat shprehin shqetësim për temën e drogës në rap – vijnë pas një valë veprimesh nga autoritetet që u kujtojnë njerëzve çensurën e kohës sovjetike.
Muajin e kaluar, një rapper i njohur si Husky, videot e të cilit kanë grumbulluar më shumë se 6 milionë shikime në YouTube, u arrestua kur mbajti një shfaqje të improvizuar në qytetin rus të Krasnodarit, pasi emisioni i tij u mbyll.
Artistë të tjerë janë prekur gjithashtu. Këngëtarja e famshme pop Monetochka dhe grupi punk Friendzona ishin ndër të prekurit, koncertet e të cilëve u ndaluan nga autoritetet ruse muajin e kaluar.
Fraksion.com