Policëve iu mbahet paga: Janë ende studentë; Vendimi është ankimuar në gjykatë
Plot 160 punonjës policie, të cilët njëherazi ndjekin edhe studimet në Akademinë e Sigurisë, prej disa muajsh po iu mbahen një pjesë e konsiderueshme e pagave, duke u trajtuar vetëm me kompensim.
Studentët policë nuk kanë gjetur një zgjidhje brenda institucionit, e për këtë arsye i janë drejtuar me një letër kryeministrit Rama.
Në shkresën që Top Channel disponon, efektivët pretendojnë se “VKM”-ja me numër 200, për “trajtimin e punonjësve të policisë që ndjekin kurse shkollimi”, nuk është interpretuar në përputhje me ligjin, duke i shkaktuar një dëm ekonomik.
Studentët policë, prej disa muajsh paguhen nga 14 deri në 20 mijë lekë në muaj, një shifër e papranueshme kjo – sipas tyre, – për të përballuar nevojat personale dhe ato familjare.
Më herët, studentët e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit i janë drejtuar edhe drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu, si dhe kanë marrë takim edhe me zv.ministrin Julian Hodaj, por nuk kanë gjetur zgjidhje.
Çëshjta ka përfunduar edhe në Gjykatën Administrative, ku disa prej tyre kanë fituar të drejtën të trajtohen me pagë të plotë dhe jo me kompensim.
Në letër, studentët i kërkojnë kreut të qeverisë të marrë masa që drejtoritë e policisë të trajtojnë me paga të gjithë studentët e Akademisë, që njëherësh ushtrojnë detyrën si punonjës aktivë të policisë.
Fraksion.com