AktualitetKosovaTë fundit

Këshilli i Sigurimit diskuton rezolutën 1244 për Kosovën

Të hënën (17.12.) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë rezolutën 1244 për Kosovën. Arsye është letra që Serbia i dërgoi presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

    
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të hënën, (17.12) rezolutën 1244 të vitit 1999 për Kosovën. Me marrjen e vendimit nga Parlamenti i Kosovës për hapjen e rrugës për kthimin e Forcës së Armatosur të Kosovës në ushtri të rregullt, më 14 dhjetori, Misioni i përhershëm i Serbisë pranë OKB, i dërgoi një letër presidentit të Këshillit të Sigurimit. Përmbajtja e letrës nuk është bërë e ditur për publikun, po mësohet jozyrtarisht që ka të bëjë me atë që Serbia e quan “shkelje të rezolutës” në pjesët e saj që kanë lidhje me sigurinë. Këshilli i Sigurimit e ka vendosur diskutimin mbasdite, në një nga pjesët e programit që Këshilli e ka përcaktuar për të diskutuar tema të ndryshme.

Presidencën e radhës këtë muaj e mban Bregu i Fildishtë. Përveç pesë anëtarëve të përhershëm që janë Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe Anglia, Këshilli i Sigurimit ka aktualisht edhe dhjetë anëtarë të përkohshëm që janë Bregu i Fildishtë, Guinea Ekuadoriale, Etiopia, Kazakistani, Hollanda, Polonia, Bolivia, Peruja, Kuvajti, Suedia.

Për herë të fundit me Kosovën, Këshilli i Sigurimit u morr më 14 nëntor, kur shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin raportoi për zhvillimet e fundit në vend dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Dacic kërkoi vazhdimin e misionit të UNMIK-ut. Rusia bëri të njëjtën gjë, ndërkohë që SHBA dhe anëtarët e Këshillit që janë vende të BE kërkuan që raportimet të bëhen më rrallë në ritëm kohor.

 

Fraksion.com