AktualitetTë fundit

Protesta: Studentët zhvendosen drejt Kryeministrisë

Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, studentët po e  zhvendosin protestën e tyre drejt Kryeministrisë.

Ndërkohë studentët për News 24 shprehen se do vazhdojnë të jenë të bashkuar, pavarësisht zërave për përçarje.

“Kjo nuk është përçarje, do jemi të gjithë bashkë. Vendimi u mor shumë spontanisht, nuk ka përçarje mes studenteve. Do kthehemi nga Kryeministria”, tha një nga studentët.

Një tjetër student tha se do të qëndrojnë edhe gjatë natës para kryeministrisë, nëse është e nevojshme.

“Studentët janë të vendosur për të qëndruar edhe gjatë orëve në vijim. Nëse është nevoja do të qëndrojmë këtu. Nëse do që t’i sjell një tas makarona, jam i gatshëm t’ja sjell”, tha një tjetër student.


Studentët kanë rrethuar godinën e Kryeministrisë, duke marrë  me vete edhe mbeturinat që mund të kenë lënë në vende të caktuara.


Kujtojmë që sot studentët me libra e Kushtetutë në duar,  nisën marshimin nga sheshi Nënë Tereza.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër është treguar i gatshëm t’i plotësojë 8 pikat studentëve, por me kushtin që të ulen në dialog.

Grupi Parlamentar i LSI i pranishëm në seancën plenare ka ngritur zërin për studentët, ndërsa tyre i është bashkuar edhe deputetja demokrate, Rudina Hajdari.

Me argumentin se është institucioni që vendos për ligjet, studentët kanë marshuar drejt Kuvendit. Nga policia nuk është kërkuar që mos tubohet por është kërkuar që të mbajnë distancë pasi është krijuar një kordon i dytë policor.

Nuk dihet nëse do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve, pasi varet nga numri i studentëve që do marrin pjesë në protestë.

8 14