Imzot Frendo për protestën: Rruga e vetme është dialogu
Kreu i Kishës Katolike, Imzot George Frendo apelon për dialog në mesazhin e përcjellë lidhur me protestën studentore, e cila ka hyrë në ditën e 10.
Në fjalën e tij theksohet se dialogu është rruga e vetme që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë.
“Në deklaratën e Konferencës sonë Ipeshkvore kemi thënë se, ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore e universitare për gjetjen e një gjuhe dialoguese, për të mirën e të rinjve universitarë. Me këtë deklaratë nxis dhe lutem sinqerisht, që qeveria dhe studentët të zgjedhin rrugën e dialogut. Është rruga e vetme që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë”, tha ai.
Në këto ditë festash të fundvitit, kreu i Kishës Katolike nënvizoi gjithashtu se të gjithë duhet të kërkojnë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë nëpërmjet dialogut, më shumë sesa rrugën e konfrontimit.
“Pas disa ditësh, të krishterët do të kremtojnë lindjen e Krishtit dhe të gjithë shqiptarët do të kremtojnë Vitin e Ri. Çfarë domethënie do të kenë urimet tona ‘Gëzuar Krishtlindjen’ apo ‘Gëzuar Vitin e Ri’ në këtë situatë të tensionuar? Le të kërkojmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë nëpërmjet dialogut, më shumë sesa rrugën e konfrontimit. Dialogu është dialog, jo monolog. As thjesht një kompromis. Dialogu përfshin një dëgjim të sinqertë, më vullnet të mirë që të gjejmë rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë. Nxis të gjithë besimtarët e të gjitha besimeve t’i drejtohen Zotit, që të ndriçojë të gjithë ata me përgjegjësi për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore”, nënvizoi Imzot George Frendo.