Fuga-Ramës: Shkarko me shkelma në prapanicë, prepotentët që kanë ngrënë lekët e studentëve
Artan Fuga i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të shkarkojë nga detyra drejtorët dhe kryetarët e bordeve që ka mbarsur ligji për arsimin e lartë.
Profesori u shpreh se ata janë prepotentë të cilët kanë ngrënë lekët e studentëve dhe që nuk kanë bërë asnjë punë.
Postimi i plotë i Fugës në Facebook
Zoti Kryeministër!
Shkarkoni drejtorët dhe bordet e agjencive që ka mbarsur ligji për arsimin e lartë!
Kështu niset mirëbesimi jo për monolog (llogje me vetveten)
Jo për dialog (llogje mes dy palësh)
Por për konsensus (gjetje e rrugëve për të cilët gradualisht janë dakord të gjitha palët dhe aktorët e vendimmarrjes për arsimin e lartë)
Shtatë xhuxhmaxhuxhat e mbytën Borëbardhën!
Kurrë arsimi i lartë shqiptar nuk do të ngrejë kokë kur universitetet i survejojnë, kontrollojnë, torturojnë, duke u bërë palë me korrupsionin, mediokritetin, banalitetin, mbi kurrizin e studentëve agjencitë që parashikon ligji i sotëm idiot i arsimit të lartë!
Kakshi
Kakfalshi
As-cali
Qesha
e me rradhë!
Shkarkojini me shkelma në prapanicë z. Kryeministër drejtorët e tyre, kryetarët e bordeve të tyre, shpërndajini sepse për vite me radhë
kanë ngrënë lekët e studentëve, të buxhetit dhe nuk kanë bërë asnjë punë,
kanë gënjyer, mashtruar publikun,
kanë qenë prepotentë
dhe janë hequr si feudalë kinezë të perandorisë Han! Këta burokratë të veckël që hiqen si Zeusa!
Me këta mbi krye ne jemi si neurotikët që i torturon mbiuni autoritar shtrirë nën një divan psikanalisti!
O sot o kurrë!
Kanë certifikuar mediokritetin,
kanë torturuar dhe burokratizuar trupat e shëndosha të pedagogëve,
nuk kanë përpunuar strategji
dhe kanë luajtur
e-ka-kush-e-ka me publikun, prindërit, studentët!
Falenderojini, pastaj lehtësisht dhe butësisht jepuni një shkelm në prapanicë, simbolikisht, të ikin dhe të dalin në auditore para studentëve dhe do të shihni se do t’i marrin me huahua sepse nuk janë në gjendje të përballojnë auditoret!
Edhe ligjin e kanë bërë duke menduar për postet që do të zinin më pas!
Trafiku i influencave, korrupsioni psikologjik dhe jo vetëm, konflikti i interesit në këto agjenci të kalbura, gënjeshtra dhe hipokrizia profesionale është e padurueshme!
Ata kanë marrë jetë studentësh! I kanë duart me jetët e tyre!
Na e hiqni këtë syndyk nga qafa dhe le të krijojmë mekanizma që masin, nxisin dhe krijojnë cilësinë e vërtetë, sepse përndryshe nuk do të dëgjojnë studentët në auditore veçse folklor, historirat e një shkence të harruar dhe budallalliqe ideologjike!
Ata po marrin në humnerë universitetet, kombin, studentët dhe heshtin e heshtin në këto kohë të vrullshme sepse mjafton një audit t’u shkojë i nxjerr lakuriq përpara gjyqit të historisë!