AktualitetNATO/BETë fundit

Brexit hedh hije në samitin e BE: May vjen, problemet mbeten

Kryeministrja, Theresa May lufton në Londër për marrëveshjen e Brexit me BE-në. BE-së dëshiron ta ndihmojë atë, por të mos ndryshojë asgjë në samit. Brukseli ka edhe halle të tjera.

Pasi e fitoi mocionin e mosbesimit në grupin e vet konservator, kryeministrja, Theresa May merr pjesë në samitin e BE-së. “Ajo vjen, por problemet mbeten”, tha një diplomat i BE-së në Bruksel. Nuk është ende e qartë, nëse ajo do të ketë sukses në kërkesën e saj për të marrë një deklaratë tjetër me shkrim mbi Brexit. Kryeministrja britanike mban një fjalim 15 minutësh para kryetarëve të tjerë të shtetit, për ta shpjeguar, pse, nga pikëpamja britanike, rregullat në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut duhet të përmirësohen.

Këto garanci, të cilat e lidhin Irlandën e Veriut ngushtë me BE-në, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje e re tregtare me Mbretërinë e Bashkuar pas vitit 2020, u bënë pjesë e marrëveshjes me Theresa May më 25 nëntor. Por të ashtuquajturin “backstop” May me gjasë nuk arrin ta kalojë në Parlament, dhe i gjithë Traktati i Brexit me BE-në mund të bëhet i pavlefshëm. “Për shkak se po shkojmë drejt një Brexit pa marrëveshje, BE-ja do të ishte e gatshme të japë një deklaratë shtesë”, tha një zyrtar i lartë i BE-së përpara samitit.

BE-ja mund të sigurojë, që “backstop” nuk do të përdoret kurrë. Megjithatë, një ndryshim thelbësor është jashtë diskutimit, sipas zyrtarit të BE-së. Marrëveshja nuk do të rihapet më. Nëse një shpjegim i tillë do të jetë ende në fuqi pas ditës së parë të samitit është ende e paqartë. Negociatorët britanikë dhe evropianë po diskutojnë ende mbi formën ligjore që duhet të ketë dokumenti shtesë: një shënim, një kontratë, një protokoll ose thjesht një deklaratë politike. Por pyetja nëse një dokument i tillë nga Brukseli do të mjaftojë për kritikët në Dhomën e Ulët britanike, edhe vetë May nuk do të mund të përgjigjej. Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, e quan situatën në Mbretërinë e Bashkuar “serioze” dhe paralajmëron se përgatitjet për një Brexit pa marrëveshje për shkak të mungesës së kohës. Përveç kaosit të Brexit, BE-ja gjithashtu ka probleme të tjera për të zgjidhur në samitin e saj, siç thekson Tusk në letrën e tij të ftesës për samitin:

Buxheti

Krerët e shteteve dhe të qeverive do të flasin në darkë për para: do të miratohet kuadri buxhetor për 27 shtetet anëtare të BE-së nga viti 2021 deri në vitin 2027. Bëhet fjalë për deri në 1.3 trilionë euro për këto shtatë vjet. Në të vërtetë, kjo do të duhej të bëhej përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj të 2019-tës. Por diskutimet ishin të vështira. Data e synuar tani është takimi i vjeshtës në tetor 2019. Pyetja e pazgjidhur: Kush paguan për boshllëkun e lënë nga Brexit? Komisioneri i Buxhetit të BE Günther Oettinger propozon të mbyllë gjysmën e hendekut përmes kursimeve dhe gjysmën tjetër përmes kontributeve më të larta nga kontribuesit e tjerë neto (Gjermania, Franca, Italia, Hollanda, Suedia, Danimarka, Finlanda, Belgjika, Austria).

Reformat

Të premten, shtetet e BE duan të fillojnë reformat e para për bashkimin monetar të euros: pakoja e shpëtimit ESM duhet të forcohet dhe shteteve të Euros duhet t’u jepen buxhetet e tyre me qëllim të rritjes së investimeve. Reformat po mbështeten nga Franca dhe Gjermania, por qëndrojnë ende prapa asaj që fillimisht u sugjerua një vit më parë nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ishte nën presion të madh nga pikëpamja e brendshme politike.

Migrimi

Politika e përbashkët e migracionit vazhdon të jetë kaq e diskutueshme sa që si një masë parandaluese, ajo trajtohet vetëm vetëm në skaj të samitit. Vendet e Europës Lindore, në veçanti, vazhdojnë të refuzojnë të pranojnë refugjatët. Italia ka mbyllur portet e saj për anijet e shpëtimit. E ardhmja e misionit detar “Sophia”, e cila deri tani ka shpëtuar shumë individë nga mbytja nga anijet e prishura në emër të BE-së, është gjithashtu e paqartë. Mandati skadon në fund të vitit.Në përgjithësi, numri i refugjatëve që po arrijnë ende në Evropë ka rënë ndjeshëm. Komisioni i BE-së thekson herë pas here se nuk mund të flitet për një “krizë”. Ministri i mbrojtjes së Austrisë, Mario Kunasek (FPÖ), tha në fillim të dhjetorit se aktualisht vetëm 180 persona në javë janë shpëtuar nga “Sophia”. Shtetet e BE pajtohen që kufijtë e jashtëm duhet të mbrohen më mirë dhe të mbyllen kryesisht për të parandaluar migrimin “ilegal”./DW

Fraksion.com