Protestës së studentëve i bashkohen edhe gjimnazistët: Qeveria, afat deri në 16:00
Studentët kanë bojkotuar sërish mësimin, duke u derdhur në rrugë, në atë që ata e quajnë protestën më masive.
Ata kanë nisur të mbledhen në fakultetet përkatëse, për t’u vendosur më pas të bashkuar para ministrisë së Arsimit rreth orës 10:00.
“Jo negociata, vetëm plotësim të kushteve”, thonë ata, duke refuzuar thirrjen e Ramës për dialog.
Por protesta e kësaj të marte nuk do të ketë vetëm studentët, me ata janë bashkuar dhe gjimnazistë dhe qytetarë të thjeshtë.
Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.
Studentët gjithashtu bllokuan disa pika kryesore që janë kryqëzimi i Piramidës me Bulevardin kryesor, kryqëzimin e Farmacisë nr.10, rrugën pranë Stacionit të Trenit, Sheshi Wilson dhe kryqëzimin tek Zogu i Zi.
Kjo është protesta më kulminante e tyre.
Protesta e studentëve ka nisur dhe në rrethe.
Në Korçë, studentëve të Universitetit “Fan Noli” u janë bashkuar dhe gjimnazistë të shkollave të mesme.
Me pankarta në duar kanë filluar marshimin drejt qendrës së qytetit.
Edhe në Elbasan ka nisur grumbullimi para Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku me studentët janë bashkuar me gjimnazistë të “Dhaskal Todrit’ dhe ‘Kostandin Kristoforidhi’.
Më pas studentë dhe gjimnazistë do të udhëtojnë me dy autobusë të vënë në dispozicion drejt Tiranës.
Gazetarja jonë Belinda Ruçi raporton se në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ se në disa prej auditoreve po zhvillohet mësim me ata studentë që nuk i janë bashkuar protestës.
Protesta po zhvillohen edhe në Vlorë.
Edhe në Filialin e Universitetit të Sarandës ka nisur mbledhja e studentëve.
Kërkesat e studentëve:
1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.
Fraksion.com