Pedagogia Keta: Ja lëshimi që duhet të bëjë kryeministri
Pedagogia e Universitetit të Tiranës, Majlinda Keta u shpreh për mediat se duhet të presim deri në orën 16 kur edhe mbaron afati që kanë vendosur studentët për të patur një përgjigje për kërkesat e tyre.
Ajo shprehu bindjen se kryeministri do të përgjigjet deri në këtë orë. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhë, sipas saj të gjithë ata që i përkrahin të rinjtë duhet të zhvendosen më ta përpara kryeministrisë.
“Në momentin që studentët që protestojnë, deri në orën 16:00 do t’a kenë fituar kauzën e tyre ne do ti nderojmë dhe falenderojmë dhe në qoftë se nuk zbatohen kërkesat e tyre deri në këtë orë, në emër të së ardhmes ne duhet të bashkohemi të gjithë për t’a bërë funksional vendin tonë. Ky është një plan që ia kemi bërë vetes për ta bërë kështu siç është këtë vend, zgjidhja nuk është emigracioni,” – u shpreh Keta.
Keta tha gjithashtu se duhet të jenë senatet ato që duhet të flasin, po ashtu edhe të gjitha figurat e larta të drejtimit në universiteteve sot duhet t’u bashkohen kërkesave të studentëve.
“Bëri mirë Rama që hoqi përfaqësuesit qeveritar nëpër bordet e univertsiteteve, e kam thënë edhe më parë që ato ishin çoka që u bënte kryeministri për tendera apo interesa të tjera. Duhet të bëhet njëherë e mirë ndarja e pushtetit akademik me ato të pushtetit financiar. Askush nuk ka të drejtë të artikulojë se janë bordet drejtuese shkaktaret e kësaj situate. Lëshimi që mund të bëjë kryeminstri është pranimi i fajit të tij për përfshirjen në bordet drejtuese të njerëzve të qeverisë,” – tha Keta.
Pedagogja tha se, le të mblidhet parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme dhe të pohojë se çdo të bëj me ligjin sepse këto janë vetëm pasojat e ligjit për arsimin e lartë.
Keta tha se, – “në bachelor tarifat e studentëve nuk i vendos universiteti, ai vendos vetëm për tarifat e masterit, për bachelorin i vendos qeveria”.
Pedagogja bëri të ditur se vetëm për 10 muaj i paguan qeveria pagat e pedagogëve pjesën tjetër e paguajnë vetë universitetet me fondet e tyre.
“Kërkesa e studentëve thotë se tarifa duhet ulur në 50% dhe një qeveri që do të negociojë duhet të pohojë se kaq mund të ofrojë buxheti i shtetit. Ka studentë shumë të mirë që midis punës dhe shkollës nga mungesa e kohës mund të lënë një provim për t’a përsëritur dhe kjo është normale por t’i quash ngelës është një fyerje tepër e rëndë. Universitetet duhen lënë në autonominë e tyre dhe në emër të autonomisë ato duhen lejuar të ndjekin vëte mekanizmat e veta. Qeveria i tradhëtoi studentët përmes tarifave të vendosura si edhe duke mos ua njohur kartën e studentit,” – tha Keta.
Duke folur edhe për të drejtat themelore të studentit, Keta tha se, kartat e studentit kanë një kosto të madhe mendore më shumë se çdo kosto tjetër.
“Duhen njohur me statusin që i njeh gjithë bota. Të mos i pajisësh studentët me kartën e studentit do të thotë të mos kesh minimumuin e ndjenjshmërisë. Do të thotë gjithashtu t’i tradhëtosh ato”.
Sipas Ketës, ligji i arsimit të lartë ka qenë tradhëtia më e madhe pas atij të 7501 për pronat dhe përgjegjësja kryesore e situatës së arsimit është Ministria e Arsimit.
“Si mund të flitet për universitete cilësore kur buxheti për kërkimin shkencor është zero. Ligji aktual detyron ata pedagogë të rinjë që nuk kanë emigruar por kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të japin mësim në universitetet shqiptare, të paguajnë çdo artikull që botojnë, të detyrohen që të shkojnë nëpër konferenca dhe të gjitha kostot t’i mbulojnë vetë,” – tha Keta.
Keta u shpreh në fund të intervistës se, qeveritarët shkojnë e vijnë por ky popull dhe të rinjtë e këtij vendi do jenë gjithmonë këtu.