AktualitetTë fundit

KLGJ dhe KLP, sot votimi. Zgjidhen organet e reja të drejtësisë

Sot votohet për 6 anëtarët e ardhshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) nga 10 pretendentë që po garojnë prej muajsh. Në total do të votojnë 305 prokurorë.

Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka nisur në orën 09:00. Fillimisht është parë nëse formohet kuorimi i nevojshëm për të zhvilluar zgjedhjet e KLP-së, pastaj është zgjedhur Komisioni i Vëzhgimit që përbëhet nga 3 prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Është miratuar në unison draft-rregullorja mbi të cilën do të zhvillohen zgjedhjet dhe secili nga kandidatët ka mbajtur fjalën e tij, duke kërkuar votën e kolegëve.

Dy nga prokurorët e apeleve, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi, edhe pse janë pjesë e fushatës dhe bënë fushatë, janë automatikisht të fituar përsa kohë që nuk kanë konkurrentë. Gara më e fortë do të jetë mes 6 pretendentëve të shkallës së parë, prej të cilëve duhet të dalin 3 anëtarë.

Nga Prokuroria e Përgjithshme duhet të shpallet një fitues, nga Apeli duhet të shpallen dy fitues dhe nga shkallët e para të prokurorive duhet të shpallen 3 fitues.

Fraksion.com