AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: Mogherini i ka çrregulluar bisedimet Kosovë – Serbi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi të martën shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për siç tha, çrregullimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi që Mogherini tha se për Bashkimin Evropian është me rëndësi që “çfarëdo ‘korrigjimesh’ që të dyja palët mund të diskutojnë në të ardhmen, marrëveshja nuk duhet të përfundojë me krijimin e shteteve etnikisht të pastra. Në çdo rast, të dyja vendet duhet të jenë shumetnike”, tha ajo duke ritheksuar qëndrimin e saj se do të ishte e pranueshme edhe një marrëveshje që prek kufijtë nëse palët merren vesh për këtë.

Kryeministri Haradinaj, i cili është kundërshtar i rreptë i ideve për prekje kufijsh, tha se zonja Mogherini i ka bërë dëm procesit të bisedimeve dhe rajonit.

“Zonja Mogherini e ka mbyt dialogun, pra e ka çrregulluar nga një dialog për normalizim e ka kthyer në dialog për territore dhe kufij, për shkëmbime, e që në Ballkan dihet çka nënkupton – destabilizim. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke e lejuar diskutimin dhe qoftë duke guxuar në publik të deklarohet për këtë. Është për keqardhje që pas kaq investimeve të Bashkimit Evropian që të lejohet një çrregullim kaq i madh. Është i papranueshëm për mua, pra qëndrimi i saj është i papranueshëm edhe kuptohet që nuk vlen, pra mendimi i saj për ne nuk vlen, për mua të paktën dhe besoj për një pjesë të madhe të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai mohoi mundësinë që kritikat e tilla mund të dëmtojnë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Evropën nuk janë të lidhura me një komisionar apo kryeministër, sepse unë nuk e kam personale me askënd. Por, kushdo që i lejon vetes me fol si opsione kufijtë, territoret e të tjera, e di që është kundër Ballkanit, kundër paqes e normalizimit. Ato pikërisht na kanë sjellë ku jemi sot, ato çrregullimet e dialogut. Sikur ta kishim mbajt në kornizë dialogun, ashtu siç ka qenë, vetëm për normalizim në mes dy vendeve, kemi pasur vonesa në disa marrëveshje, por të paktën nuk kemi pasur dalje prej kontrollit, dalje prej kontrollit ka shkaktuar pikërisht debati i këtillë”, tha zoti Haradinaj.

Idetë për prekje kufijsh, që janë hedhur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë nxitur shumë reagime në të dyja vendet por edhe në skenën ndërkombëtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet e të dyja vendeve.

Aktualisht bisedimet janë bllokuar për shkak të tensioneve të shtuara ndërmjet të dyja palëve. Kriza më e fundit pasoi vendimin e qeverisë së Kosovës për t’u vënë tarifa prej 100 për qind mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj, siç thuhet, politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës./VOA

Fraksion.com