Nesër në 16:00 skadon ultimatumi i studentëve, ja skenarët në vijim
Në ditën e shtatë të protestës, studentët paralajmëruan zhvillime të reja. Në një postim në rrjetet sociale, përfaqësues nga të gjithë fakultetet publike në vend, kanë njoftuar se në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së martë, e deri në orën 10:00, do të bllokohen të gjitha hyrjet e fakulteteve, çka nënkupton bojkot total të Universiteteve.
Po ashtu bëhet e ditur se në orën 10:00 do të nisë marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve të të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
Ashtu sikurse lajmëruan në fund të protestës së sotme, ora 16:00 është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat.
Në skadim të këtij afati, janë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie. Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullon një tjetër njoftim, ky edhe më radikal për nga përmasat e protestës.
Në këtë njoftim bëhet thirrje që në orën 9:00 të bllokohen të gjitha pikat kyçe të Tiranës, për të ‘paralizuar’ kështu kryeqytetin.