Ceremoni në Bularat për Kacifas, protestë në Gjirokastër për vrasjen e shqiptarëve në Greqi
Në fshatin Bularat të Gjirokastrës u zhvillua mesditën e së shtunës një ceremoni kujtimore për Konstandinos Kacifas, i cili u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat speciale policore shqiptare RENEA më 28 tetor të këtij viti.
Ceremonia, në fshatin që banohet nga pakica greke, ishte thirrur përmes rrjeteve sociale dhe ishte organizuar edhe me pjesëmarrje nga Greqia. Të afërmit gjatë ceremonisë që u zhvillua qetësisht dhe ku morën pjesë disa qindra vetë kërkuan drejtësi.
Ata pohuan se shumë pjesëtarë të tjerë që do të vinin në ceremoni nuk u lejuan nga policia shqiptare në Pikën kufitare të Kakavijës. Në ceremoninë kujtimore nuk pati thirrje dhe deklarata, ndryshe nga ceremonia e varrimit të disa javëve më parë ku koret antishqiptare të ekstremistëve grekë shoqëruan kortezhin.
Policia shqiptare tha se ndërmori dy ditët e fundit masa shtesë në pikat e kalimit të Kakavijës në Gjirokastër dhe Qafëbotës në Sarandë duke ndaluar hyrjen në Shqipëri të personave me prirje ekstremiste. Nuk ka të dhëna zyrtare nga policia shqiptare, por disa dhjetëra vetë u kthyen pas drejt kufirit grek në Kakavijë.
Sipas burimeve kufitare personat e kthyer bllokuan për rreth një orë në anën greke lëvizjen e mjeteve shqiptare drejt Greqisë, por u shpërndanë nga policia greke dhe në kufi u vendos normaliteti.
52 prej personave që ishin sot në listen e policisë shqiptare për të mos u lejuar të hynin në territorin shqiptar ishin shpallur “non grata” pas ceremonisë së varrimit të mbajtur në Bularat më 8 nëntor.
Policia shqiptare tha sot se arrestoi në flagrancë një shetas grek me detyrë punonjës policie në Gumenicë të Greqisë. Arrestimi, sipas policisë shqiptare u bë pasi rreth gjatë paradites në aksin rrugor ‘Sarandë-Gjirokastër’, në vendin e quajtur ‘Ura e Kranesë’.
Sipas policisë shqiptare ky person duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër ishte kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit ‘pistoletë’ me 6 fishekë.
Ndërsa zhvillohej ceremonia në Bularat në qytetin e Gjirokastrës u zhvillua një protestë e disa grupimeve për vrasjet e javëve të fundit të disa shqiptarëve në Greqi. Protesta u thirr përmes rrjeteve sociale dhe qindra anëtarë të Aleancës Kuqezi dhe disa grupimeve udhëtuan në mëngjes herët në drejtim të Gjirokastrës.Organizatorët shpalosën një flamur masiv në Qendrën Historike të Gjirokastrës dhe thanë se protesta ishte për të kërkuar llogari për 7 shqiptarët e vrarë vetëm në dy muajt e fundit në shtetin grek.
Pak ditë më parë edhe Ministria e Jashtme shqiptare kishte shprehur shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre. Ministria e Jashtme perms nje deklarate shprehu “indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombësve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke”.
Ministria shqiptare tha se “ dënonte ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj”. Policia greke përmes një deklarate kishte pohuar se të gjitha vrasjet ishin zbardhur.
Fraksion.com