AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj konfirmon se ka biseduar me Stoltenbergun për ushtrinë, por nuk tregon qëndrimin e NATO-s

I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, por, pa bërë detaje se si iu është përgjigjur Stoltenberg deklaratave për transformim të FSK’së. Ndërkaq, në njoftimin zyrtar të NATO’s thuhet se sekretari i përgjithshëm i ka përsëritur Haradinajt se ky transformim është i paarsyeshëm, shkruan Gazeta Express.

Stoltenberg ka biseduar sot përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq , për t’i njoftuar me rezultatin e takimit të djeshëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku është diskutuar edhe për nismën për krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Megjithsëse në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se dy shteteve iu është kërkuar të tregohen të përmbajtur si dhe që plani për transformim të FSK’së mund të ketë pasoja negative, këtë nuk e ka përmendur Kryeministri i Kosovës kur ka shkruar për bisedën.

“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar në Facebook Haradinaj.

Ndërkaq, Stoltenberg tha se u ka kujtuar përmes këtyre bisedave se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabiliteti të qëndrueshëm në rajon./Express

 

Fraksion.com