106-vjetori i Ushtrisë Shqiptare, Meta: Zoti i bekoftë ushtarakët
Presidenti Ilir Meta ka uruar 106-vjetorin e themelimi të Ushtrisë Shqiptare, ndërsa dha një mesazh për të gjithë ata që mbajnë veshur këtë uniformë.
Përmes një postimi në “Facebook” kreu i shtetit shqiptar shprehu vlerësim maksimal për kontributin e Ushtrisë në operacione humanitare dhe ato paqeruajtëse.
“Me rastin e 106-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Shqiptare, dëshiroj të përcjell konsideratat më të larta dhe urimet më të ngrohta për burrat dhe gratë nën uniformë, të cilët kanë kontribuar apo vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim dhe sakrifica shembullore, për mbrojtjen e vendit dhe sigurinë kombëtare.
Vlerësim maksimal për kontributet e spikatura gjatë operacioneve humanitare, por edhe paqeruajtëse!
Urime të veçanta dhe të përzemërta ju përcjell 210 ushtarakëve të cilët aktualisht, nën flamurin e NATO-s, kontribuojnë për lirinë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.
Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për Atdheun!🇦🇱”, shkruan Meta.
Fraksion.com