Life StyleTë fundit

Uashington, ekspozitë mbi modën

Në Uashington ndodhet muzeu i vetëm në botë që prezanton vetëm krijime të grave artiste. Muzeu Kombëtar i Grave në Arte është hapur prej tre dekadash por deri tani nuk ka pasur kurrë një eskspozitë të dedikuar ndaj modës. Në nëntor muzeu hapi ekspozitën kushtuar studios së modës, Rodarte. Korrespondentja Karina Bafradzhian ka përgatitur materialin:

Muzeu Kombëtar i Grave në Arte po punon prej afro dy vjetësh për ekspozitën e studios Rodarte. Ky është një moment me rëndësi, sepse për herë të parë prezanton një retrospektivë të kësaj studioje të famshme dhe është gjithashtu e para ekspozitë që muzeu ka organizuar për modën.

“Moda është një industri globale, por që kryesisht ka në fokus gruan; megjithatë kjo industri jo gjithmonë dominohet nga gratë. Shumë firma të njohura mode kanë burra në krye. Donim që me këtë rast të sillnim në qendër të vëmendjes gratë stiliste që janë në rangjet më të larta të kësaj industrie,” thotë kuratorja Virginia Treanor.

Rodarte është një studio mode relativisht e re. Ajo u krijua në 2005 nga motrat Kate dhe Laura Mulleavy dhe arriti të sigurojë miratimin e kritikëve në qytete të ndryshme të botës. Rodarte ka fituar disa çmime të industrisë së modës. Megjithëse nuk është aq e njohur sa firma si Versace apo Dolce & Gabbana, Kate dhe Laura thonë se nuk e kanë mendjen tek popullariteti. Ata duan të respektohen e të vlerësohen në mesin e stilistëve të tjerë:

“Ato nuk janë të paprezantuara me botën e artit. Në fakt, Kate Mulleavy është diplomuar në degën e historisë së artit, ndërsa Laura ka studiuar letërsi angleze. Ato nuk kanë janë arsimuar në degët e modës, thjesht e filluan këtë firmë pasi e shihnin modën si një mënyrë për të shprehur anën e tyre artistike,” shpjegon kuratorja.

Fustanet e firmës Rodarte janë më të përshtatshme për muzeum, se sa për veshje nëpër rrugët e qytetit. Materiali i derdhur, me qëndisje apo zbukurime të tjera të ndërlikuara dhe plot bizhuteri, krijon jo thjesht një artikull veshjeje, por një vepër arti.

Firma është rritur me shpejtësi. Kate dhe Laura morën përsipër kostumografinë e filmit “Black Swan” – Mjellma e Zezë në 2010.

Aktorja Natalie Portman, e cila luan personazhin kryesor të filmin i propozoi regjisorit të filmit, Darren Aronofsky që të kontraktonte dy motrat stiliste. Ata ia shpërblyen besimin aktores Portman me një koleksion shumë të bukur kostumesh.

Megjithëse Uashingtoni si qytet nuk është i njohur për ndonjë modë

avangard, ekspozita e re ka frymëzuar shumë banorë.

“Mendoj se është shumë e bukur. Nuk kam qenë kurrë në një ekspozitë të tillë, po më pëlqen,” thotë Nina, një vizitore.

“Mendoj se të gjithë banorët e Uashingtonit duhet të vijnë ta shohin. Në këtë sezon ka shumë ballo luksoze dhe kjo ekspozitë do t’ua nxisë njerëzve fantazinë,” thotë vizitorja Deborah.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mes të shkurtit 2019.

 

Fraksion.com