Trump i ka kërkuar ndihmë Pakistanit për arritjen e paqes në Afganistan?
Pakistani ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump i ka nisur një letër kryeministrit pakistanez, Imran Khan, duke i kërkuar ndihmë në bisedimet për arritjen e paqes në Afganistan.
Ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry ka thënë më 3 dhjetor se presidenti Trump “ka kërkuar nga Pakistani bashkëpunim për të dërguar talibanët para tavolinës së bisedimeve”.
Chaudhry ka thënë se në letrën e Trumpit, Pakistanit i është kërkuar të ketë rol në bisedimet për paqe, ashtu që t’i jepet fund luftës 17 vjeçare në Afganistan.
Ende nuk ka pasur asnjë konfirmim nga Shtëpia e Bardhë lidhur me nisjen e një letre të tillë, e cila do të shënonte komunikimin e parë të drejtpërdrejtë në mes të dy liderëve prej kur Imran Khan ka ardhur në pushtet në muajin gusht, shkruan REL.
Trump ka kritikuar Pakistanin prej kur ka prezantuar strategjinë e tij për Afganistanin dhe Azinë Jugore, pavarësisht përpjekjeve të të dyja qeverive për të rregulluar problemet që kanë dëmtuar marrëdhëniet e tyre.
Talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë drejtpërdrejt me Qeverinë e Afganistanit, duke thënë se ata do të negociojnë vetëm me Shtetet e Bashkuara.
Militantët po ashtu kanë thënë se forcat e NATO-s, duhet të largohen nga Afganistani para se të nisin negociatat.
Diplomatët amerikanë u kanë bërë thirrje talibanëve në javën e kaluar që të “shfrytëzojnë mundësinë” për të nisur bisedime për paqe me Qeverinë afgane të përkrahur nga Perëndimi dhe të negociojnë një zgjidhje për përfundim të konfliktit.
Fraksion.com