AktualitetKosovaTë fundit

Sfidat kryesore të drejtësisë në Kosovë

Një raport i publikuar nga Qendra e Kosovës për studime të Sigurisë nxjerrë në pah se gjyqësori dhe prokuroria vazhdojnë të mbeten dy nga institucionet me besimin më të ultë. Sipas raportit shkaqet lidhen me “përvojën personale të qytetarëve si dhe një perceptim të ulët që mund të lidhet me punën e tyre në luftimin e korrupsionit dhe dukurive tjera kriminale që vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën”, thuhet në raport.

Që nga viti 2012, lëndët që lidhen me korrupsionin vazhdojnë të mbeten përparësi e punës së gjyqësorit. Por, një sfidë e madhe sipas drejtuesve të institucioneve të drejtësisë mbetet padrejtësia në dhënien e dënimeve gjë që sipas tyre po ndikon edhe tek perceptimi i qytetarëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi thotë se ndëshkimi i kryesve të veprave penale nuk është në shkallën e duhur dhe sipas tij po shqiptohen dënime jo meritore në krahasim me peshën e veprave penale të kryera.

​“Në momentin që nuk ke një trajtim të barabartë apo nuk ke një politikë ndëshkimore korrekte ndikon negativisht edhe në perceptimin e publikut, posaçërisht te palët që përballen me këto padrejtësi. Nuk janë raste të shumta, por për fat të keq ndodhin”, tha zoti Idrizi.

Kryetari i Gjykatës së lartë të Kosovës, Enver Peci thotë se është duke rënë nëpër vite numri i lëndëve të grumbulluara që lidhen me korrupsionin. Ndërsa e cilëson si problem shqiptimin e dënimeve.

​“Do të shikojmë se pse për një vepër të ngjashme penale, për një kryes të veprës penale merr rrethana përafërsisht të njëjta, sepse nuk ka vepra të njëjta, dikujt ju ka shqiptuar dënim me kusht e dikujt me burg, edhe kja ka bërë një mosbesim të qytetarëve në sistemin gjyqësor për shkak se prej vet vendimeve po rrjedhë që diçka nuk është rregull. Tash a ka pasur ndërhyrje, diçka ka pasur në atë situatë për shkak se nuk janë vendime unike për të njëjtën vepër për rrethana të ngjashme”,tha zoti Peci.

Gjatë vitit 2017, 16 gjyqtarë janë përballur me komisionin e disiplinës dhe tetë prej tyre janë dënuar për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës apo të ndonjë sjellje të pahijshme. Zoti Idrizi thotë se nëpërmjet këtij kodi, vëzhgohet puna e gjyqtarëve.

“Raste individuale mund të ketë por nuk është fenomen, nuk është përmasa aq sa është perceptimi. Është Kodi i Etikës që detyron gjyqtarin që t’u përmbahet rregullave të kodit të etikës dhe mirësjelljes por sidomos e obligon parimi i pavarësisë dhe pa anësisë që ai në çështjet që i ka për gjykim të vendos vetëm në bazë të ligjit dhe provave dhe çdo devijim nga këto dy parime dhe nga kodi i etikës, do të thotë gjyqtari kalon në zonën e përgjegjësisë disiplinore apo mund të kaloj edhe në zonën penale”, tha zoti Idrizi.

“Është qesharake që dikush për shembull me pesë mijë euro i jepet tri vjet burg i dikush me 70 mijë euro i jepet burgim me kusht. Ato rrethana pse po zbutet dënimi nën minimumin e dënimit të paraparë me ligj gjykatat nuk po japin arsye. Edhe aty po lind dyshimi tek ne se a është çështje e profesionalizmit, mos dijes së gjyqtarëve apo është diçka tjetër. Kjo do të del shpejt si rezultat në mënyrë që edhe kjo pjesë të përmirësojmë sepse nëse kryhen këto lëndë qysh po përfundon tani edhe ka rezultate në sanksione penale atëherë Kosova kishte me qëndru mirë”,tha kryetari i Gjykatës së Lartë, Enver Peci.

Vëzhguesit në vend thonë se Kosova ka ligje të mira kundër korrupsionit por, mungesa e vullnetit politik dhe ndërhyrjet në sistemin gjyqësor po e pamundësojnë luftën e vërtetë posaçërisht kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Por, a ka ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë dhe a po ndikojnë deklaratat e politikanëve në dhënien e vendimeve përfundimtare?

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj thotë se nuk ka pasur ndonjë rast serioz apo të drejtpërdrejt të kërcënimit ndaj prokurorëve në vend. Ai thotë se problem mbeten deklaratat e politikanëve ndaj sistemit të drejtësisë.

​“Unë bëj thirrje që të kenë kujdes secili kur te flet për sistemin e drejtësisë në përgjithësi qoftë edhe politikanët kur deklarohen me punën tonë duhet të jenë më të matur, mos të deklarohen rreth punës sonë në publik sepse nëse nuk konsiderohet kërcënim të paktën mund të konsiderohet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë apo në pavarësinë e punës tonë”,tha zoti Isufaj.

Edhe kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Enver Peci ngreh të njëjtin shqetësim lidhur me deklaratat e politikanëve dhe përfaqësuesve të institucioneve ndaj rasteve gjyqësore të cilat sipas tij mund të ndikojnë në një mënyrë te vendim marrja e gjyqtarit.

“Në aspektin ligjor jemi plotësisht të pavarur dhe në qoftë se ne e forcojmë veten dhe dëshirojmë të veprojmë vetëm në bazë të ligjit dhe provave nuk mundet të ndikojë dikush. Mirëpo, ndonjëherë edhe këto takimet dhe bisedat dhe komentimet e rasteve mundet të ketë ndikim edhe te rastet tjera”,tha zoti Peci.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur fusha më e kritikuar, ndërsa në sirtarët e gjykatave të vendit edhe më tej mbeten me qindra mijëra lëndë të pazgjidhura./VOA

 

Fraksion.com