Parlamenti i Maqedonisë i votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit
Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit, por faza kryesore, miratimi me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretave të votave i ndryshimeve kushtetuese pritet bëhet në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.
Amendamenti për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u miratua me 67 vota, 18 ishin kundër, ndërsa tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës abstenuan. Abstenimi i tyre duket se ka shqetësuar pushtetin. Qeveria dhe tetë ligjvënësit para pak ditësh arritën një marrëveshje për një lloj amnistie të një kategorie personash të akuzuar për dhunën në parlament më 27 prill, 2017 dhe kjo do të thoshte se ata do të votojnë ndryshimet e kushtetutës, përkatësisht ndryshimin e emrit të kontestuar të Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i ri i tyre mbi amendamentet mbase ndërlidhet me masën e paraburgimit për ish-drejtorin e shërbimit sekret Sasho Mjallkov, për çka duket se ka një afërsi midis tyre, madje se zoti Mijallkov t’i kishte bindur ata të votonin hapjen e ndryshimeve kushtetuese para pak javësh.
Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës, ku shtohet dhe Marrëveshja e Ohrit, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov tha se mund të ketë hapsirë për ndryshime të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të zënë vend kërkesat e opozitës, por pas një debati publik dhe vlerësimeve të ekspertëve. Opozita shqiptare kërkon që në preambulë të përmendet edhe populli shqiptar. Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët tha se këmbëngulë që shteti në Preambulë të përcaktohet si shtet multietnik.
Këto ndryshime vijnë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës të arritur më 17 qershor midis qeverive të Shkupit dhe Athinës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve më se 25 vjeçe rreth emrit Maqedoni. Por, ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë do të zbatohen vetëm pasi parlamenti grek ta miratojë Marrëveshjen e Prespës.
Në atë rast, Shkupi do të bënte hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Fraksion.com