Hahn viziton sot Prishtinën; Deputetët e Listës Serbe kërkojnë takim me të
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. Ai pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, edhe deputetët serbë, që përfaqësohen përmes Listës Serbe, që nga e diela janë mbyllur në Kuvend me kërkesën që ta takojnë komisionarin Hahn dhe t’i shpjegojnë atij qëndrimin dhe shqetësimet në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën doganore prej 100 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat importohen në Kosovë.
Njëri nga deputetët, anëtar i Listës Serbe, Igor Simiq tha për Radion Evropa e Lirë se kërkojnë takim me komisionarin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare, e cila siç tha ai, po “e kërcënon popullin serb” për shkak të vendimit të Prishtinës që ta vendosë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.
“Kërkesa e vetme e deputetëve të Listës Serbe të cilët ka mbi 22 orë që janë mbyllur në Kuvend, këtu në Prishtinë është që të takohemi me Johannes Hahn që t’ia transmetojmë atij shqetësimin e qytetarëve serbë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila në fakt ka bllokuar prodhimet e Serbisë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Kjo ngritë tensione mes qytetarëve duke ditur se 95 për qind e mallrave në mjediset e banuara me popullatë serbe vijnë nga Serbia”, tha ai.
Simiq tha po ashtu se në vendbanimet me popullatë serbe ka mungesë të ushqimit dhe produkte të tjera.
“Kjo në përkthim do të thotë se ne qysh tani kemi mungesë të ushqimit, barnave, shtypi nuk vjen qe 12 ditë në mjediset e banuara me serbë. Pra, po shkelen të drejtat elementare të njeriut dhe dikush nga Bashkimi Evropian duhet të reagojë”, tha Simiq.
Derisa Lista Serbe po paralajmëron katastrofën humanitare për shkak tarifës, në mjediset e banuara me serbë në jug të Ibrit, qytetarët thonë se nuk ka mungesa të ushqimit.
Dyqanet në Graçanicë, një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, aktualisht janë plotë me mallra. Punëtorët thonë se për momentin nuk ka mungesë ushqimi, si dhe se nuk ka pasur rritje të ndjeshme të çmimit të prodhimeve. Të njëjtën thonë edhe qytetarët e Graçanicës.
Sinisha Kostiq, banor i kësaj komune nuk beson se do të ndodhë ndonjë katastrofe humanitare.
“Çdo gjë është normale, përveç se çmimi i bukës. Buka është shtrenjtuar, por po paralajmërohet se kjo situatë mund të ndryshojë. Po presim dhe shohim se çka do të ndodhë. Shpresojmë se kjo gjendje shpejt do të zgjidhet”, tha ai.
“Para pak netësh isha në një hipermarket në Prishtinë dhe të gjitha produktet që kemi blerë kanë qenë nga Serbia. Lista Serbe në këtë situatë e bënë atë që duhet, po paralajmëron institucionet dhe komunitetin ndërkombëtarë se çka mund të ndodhë”, thotë ky banor.
Edhe Sasha Qosiq nga Graçanica, thotë se përveç produkteve nga Serbia, në Kosovë ka mallra edhe nga shtetet nga rajoni, siç janë Maqedonia e Kroacia. Për këtë arsye nuk beson që mund të ndodhë krizë, përveç kur janë barnat në pyetje.
“Ne ende kemi në dispozicion qumështin, produktet e qumështit të cilat nuk janë prodhuar në Serbi dhe janë me çmime po të njëjta. Unë nuk shoh ndonjë krizë ekonomike. Është e vërtetë se kjo është negative për prodhuesit serbë që kanë partnerë biznesi në Kosovë ku eksportojnë shuma të mëdha”, tha Qosiq.
Pothuajse njësoj është edhe në fshatin Babimost, ku shumica e banorëve janë serbë. Ky fshat i takon komunës së Obiliqit.
Dyqani në këtë fshat tash për tash nuk ka pasoja nga taksa, përveç rritjes së lehtë të çmimeve të disa produkteve.
“Nga Serbia me telefonojnë të familjes dhe më pyesin a kemi ushqim. Iu them, po i kemi krejt, sigurt është, pakëz po ngriten tensione qe nuk kemi bukë, por krejt normal është, tash për tash kremi krejt”, thotë Mira, punëtore në dyqanin lokal në Babimost.
Katër kryetarët e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, ditë më parë dhanë dorëheqje, si dhe u organizuan protesta në Mitrovicën Veriore në kundërshtim të taksës.
Pritet që Hahn ta diskutojë këtë çështje me udhëheqësit e Kosovës, dhe sidomos me kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka deklaruar në disa raste se taksa do të mbetet në fuqi përderisa Serbia të mos e ndalë, siç ka thënë ai, fushatën ndaj Kosovës dhe përderisa të mos e njeh Kosovën si shtet e pavarur e sovran.
Qeveria e Kosovës ka rritur taksën nga 10 për qind në 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigjej ndaj fushatës agresive të Serbisë për Kosovën, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.
Një çështje tjetër të cilën Hahn pritet ta diskutojë me autoritetet e Kosovës është edhe ajo e liberalizimit të vizave. Këshilli i Ministrave i BE-së, nuk e ka vënë në agjendën e takimit të 6 dhe 7 dhjetorit çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, çka në Prishtinë ka zgjuar reagime të shumta.
Fraksion.com