AktualitetTë fundit

Fleckenstein: Negociatat për Shqipërinë të hapen në qershor

Nëse Shqipërisë në qershor 2019 nuk do t’i hapen negociatat e anëtarësimit, sipas raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein do të kishte jo vetëm pasoja negative për rajonin, por institucionet e BE do të humbasin besueshmërinë.

Në një intervistë për “Tv Klan”, Fleckenstein thotë se me raportin që hartoi për ecurinë e reformave në Shqipëri e që mori miratimin e Parlamentit Europian javën e shkuar, kërkohej t’i përcillej një mesazh Këshillit të Ministrave të BE.

“Mesazhi kyç për Shqipërinë është: Vazhdoni kështu, por ka gjithashtu disa pika, ku ne do të donim të shihnim më shumë rezultate. Por ishte një mesazh drejtuar gjithashtu Këshillit të Ministrave, që ne i mbahemi vendimit tonë dhe mbështesim Komisionin Europian për hapjen e negociatave dhe kërkojmë që ato të hapen vitin e ardhshëm. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do ketë rrjedhoja negative vetëm për rajonin, por edhe për institucionet europiane. Nëse ato nuk janë të besueshme, atëherë harroji ato”, u shpreh Fleckenstein.

Përsa i përket sistemit të drejtësisë dhe vendeve vakante, raportuesi për Shqipërinë u shpreh se procesi i Vetingut për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të vijojë, si dhe të plotësohen vakancat në këtë sistem.

“E kuptoj që është një situatë e vështirë, por kjo mund të ndodhë në një fazë të tillë tranzitore. Problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Duhet pak durim për këtë. Nga ana tjetër është absolutisht e nevojshme, që gjykatat dhe prokuroritë të funksionojnë dhe që këto poste vakante të mbushen”, tha Fleckenstein.

 

Fraksion.com