Valët misterioze godasin botën. Sizmologu: I gjithë planeti po kumbonte!
Nga Madagaskari në Kanada dhe madje edhe në Zelandën e Re: më 11 nëntor valët e çuditshme sizmike goditën tokën tonë dhe shkencëtarët janë ende në dilemë tri javë më vonë.
Më 11 nëntor, stacionet sizmologjike në mbarë botën morën valë për njëzet minuta që dukeshin si një tërmet i madh. Por askund në botë nuk ndodhi një tërmet i fortë dhe me pasoja atë ditë. Shkencëtarët janë ende në dilemë: çfarë i shkaktoi këto valë?
Hulumtuesit ndërkohë kanë qenë në gjendje të gjurmojnë origjinën e valëve: ishullin Mayotte në veri të Madagaskarit në Oqeanin Indian. Por asgjë nuk ndodhi më 11 nëntor. “Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë diçka të tillë”, thotë seizmologu Göran Ekström nga Universiteti i Kolumbias për National Geographic.
Ajo që surprizon shkencëtarët në veçanti është pastërtia e valës dhe frekuenca e saktë me të cilën valët e ndryshme ndoqën njëri-tjetrën. Shumica e tërmeteve dërgojnë valë të ndryshme me frekuenca të ndryshme, por sinjali i “Mayotte” ishte një valë e pastër që përsëritej çdo 17 sekonda.
Ndërkohë, teori të shumta qarkullojnë. Ndoshta një ndikim meteorit apo një vullkan nënujor. Por, asgjë nuk është provuar. Teoria e fundit gjithashtu duket e besueshme sipas shërbimit gjeologjik francez: “Mund të jetë një shenjë se magma po lëviz nën një ishull vullkanik”.
Ekström gjithashtu beson se burimi i vibracionit është shumë më pak ‘ekzotik’ sesa sugjeron perceptimi. Mayotte ka pasur një numër të dridhjeve që nga maji. Megjithatë, më e rënda prej tyre, me një forcë prej 5.8 në shkallën Rihter, ishte më 8 maj.
Që atëherë, numri i dridhjeve ka rënë në numër dhe madhësi, derisa mbërritëm këtë muaj me dridhjen misterioze.
“Ishte sikur i gjithë planeti të kumbonte si një zile,” e përshkruan sizmologu ngjarjen. Hulumtimi vazhdon.
Shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë origjinën e valëve të çuditshme, por deri më tani ata janë të gjithë në errësirë.