AktualitetBota+Të fundit

SHBA, ish-avokati i Presidentit Trump pranon fajësinë

Ish-avokati personal i Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, pranoi fajësinë se kishte bërë deklarime të rreme në lidhje me hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet amerikane të 2016s.

Zoti Cohen u vetëdeklarua fajtor të enjten në mëngjes në gjykatën federale të Manhatan-it mbi akuzën për pohime të rreme në Kongres gjatë hetimeve që po zhvillonin ligjvënësit lidhur me një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë mes njerëzve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë për të ndikuar tek zgjedhjet amerikane.

Zoti Cohen tha gjatë seancës dëgjimore në gjykatë se kishte paraqitur një deklaratë të rreme lidhur me një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme të organizatës Trump në Moskë.

Por Presidenti Donald Trump e akuzoi ish-avokatin e tij për nënshtrim ndaj presionit të prokurorëve.

Ai është një person i dobët dhe ajo që po përpiqet të bëjë është që të përfitojë ulje të dënimit. Pra, ai po gënjen për një projekt që të gjithë e dinin. Dua të them se ne ishim shumë të hapur mbi këtë çështje. Po mendonim për ndërtimin e një godine,” u tha zoti Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Në fund vendosa të mos e ndërtonim. Nuk do të kishte patur asnjë të keqe nëse do kishte ndodhur e kundërta, ” shtoi presidenti Trump.

Në muajin gusht, zoti Cohen pranoi fajin për shkelje financiare të lidhura me fushatën, evazion fiskal dhe mashtrime bankare në një çështje të sjellë për gjykim nga prokurorët federalë të Nju Jork-ut.

Pranimi i fajësisë mund të sinjalizojë se zoti Cohen shpreson të marrë një dënim më të lehtë lidhur me akuzat, në këmbim të vazhdimit të bashkëpunimit me hetimin që po zhvillon zyra e zotit Mueller.

I bëra këto deklarata të rreme për të qenë në përputhje me “individin 1” dhe për shkak të besnikërisë ndaj “individit 1”, tha zoti Cohen në gjykatë. Më parë e ai kishte identifikuar personin që i referohej si “individi 1”, si zotin Trump./VOA

 

Fraksion.com