Konfliktet tregtare dominojnë samitin e G20-s
Presidentit amerikan, Donald Trump nuk i intereson bashkëpunimi ndërkombëtar, por shtetet e tjera të G20-s mendojnë ndryshe. Në Argjentinë mund të kemi përplasje të forta.
Samiti i G20-s që po zhvillohet në Argjentinë (30.11-01.12) është i pari në Amerikën Latine. Presidenti argjentinas, Mauricio Macri, që lufton në vendin e tij me një krizë të fortë financiare, do që t’ua bëjë më të prekshme problemet e vendit të tij 20 vendeve më të rëndësishme ekonomike të botës. “Duhet të bëjmë gjithnjë të qartë, që kemi të bëjmë me një botë, në të cilën hendeku i padrejtësisë po zmadhohet e nuk po zvogëlohet, dhe madje kudo.”
Presidenti Macri ka bërë të ditur se duam “të bëjmë një G20 që sjell diçka konkrete për çdo njeri”. Kështu i përshkruan Pedro Villagra Delgado qëllimet e Argjentinës për samitin e G20-s. Ai është këshilltar i mikpritësit të samitit, presidentit argjentinas dhe ka punuar me 19 kolegët e tjerë për përgatitjen e samitit. “Mendohet se gjithçka është e vetëkuptueshme, por po të shohësh me vëmendje, nuk është kështu. Duhen vendime që përmirësojnë jetën e njerëzve”, thotë Pedro Villagra Delgado.
Samiti i G20- do të debatojë këtë herë edhe për të ardhmen e punës në botën digjitale, arsimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë e artikujve ushqimorë. Për diplomatin me përvojë Pedro Mauricio Macri është e qartë, se një temë tjetër, e sidomos një president, ai amerikan do të sundojnë skenën në Buenos Aires. Me politikën “America first” Trump ka bërë të pakënaqur aleatët si BE e Kanada, por edhe Kinën. Christine Lagarde, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shpreh para samitit të G20-s se doganat ndëshkuese dhe konfliktet tregtare e reduktojnë tregtinë botërore. “Tregohen sigurisht edhe efektet që këto masa do të kenë në kapacitetin ekonomik. Në rastin më të keq, ekonomia botërore do të ulet me 0,5%.”
Trump kërkon një “deal” me Kinën
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe krerë të tjerë shtetesh e qeverish kanë vendosur të këmbëngulin tek ruajtja e tregtisë së lirë. Për momentin duket se do të kemi një samit sipas motos “Të gjithë kundër njërit, të gjithë kundër Trumpit”. As nuk mendohet që presidenti amerikan, që do të qëndrojë vetëm një ditë në samit, të reagojë ndaj këtyre qëndrimeve. Për të vlen “Amerika First”, siç e theksoi edhe para një jave.
Institucionet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë, OBT apo edhe G20 janë për të të bezdisshme.
Trump kërkon gjatë qëndrimit në samitin e G20- të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping për të arritur një marrëveshje bilaterale. Në të njëjtën kohë ai edhe kërcënon. “Ne po ecim mirë me Kinën. Kina kërkon të mbyllë një marrëveshje. Ndoshta nuk ua thonë juve, por e duan shumë këtë. Unë kam edhe 250 miliardë të tjerë që mund t’i vë si dogana, po qe se nuk arrijmë një marrëveshje. Më besoni, unë do t’i vë ato, sepse Kina prej vitesh e vitesh e ka bastisur vendin tonë.”
Protesta kundër G20-s në Buenos Aires
Takim Trump-Putin dështon
Nuk dihet, nëse kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të ketë shansin të flasë me presidentin amerikan për doganat mbi çelikun dhe aluminin. Bisedimet transatlantike të filluara në verë kanë ngecur. Junkcer nuk e pëlqen strategjinë aktuale amerikane, ku secili mendon për veten. “Nuk e pëlqej unilateralizmin, sepse nuk merr në konsideratë nevojat e të tjerëve. Do të mbetem një multilateralist”, tha Juncker në një fjalim për gjendjen e Bashkimit Europian në shtator.
Ishte planifikuar edhe një takim i Donald Trump me presidentin Putin në kuadër të samitit, i cili nuk do të zhvillohet, me arsyetimin, se Rusia nuk liruar marinarët ukrainas të marrë në arrest. “Nuk më pëlqejnë agresionet”, tha Trump. Të dyja palët nuk grinden aq për çështje tregtare, se sa për marrëveshjen për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi.
Mikpritësit argjentinas shpesojnë që krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve që përfaqësojnë 80% të kapacitetit ekonomik botëror të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht qëndrimit të Donald Trump. Dëshira ime është që në dokumentin përfundimtar të samitit të G20-s, të vihet re angazhimi i krerëve të shteteve e qeverive, duan të punojnë bashkë për të mirën e të gjithëve, thotë Pedro Villagra Delgardo./Bernd Riegert, DW
Fraksion.com