NATO-ja i kërkon Kosovës heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe
Komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, u shpreh i shqetësuar të mërkurën me veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës për të ngritur tarifat për mallrat serbe dhe kjo sipas tij, rrezikon të izolojë më shumë Kosovën.
Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
Besoj se edhe Serbia edhe Kosova aspirojnë të jenë më të integruara me institucionet euro-atlantike, besoj se kjo është e rëndësishme për të dy kombet. Megjithatë jam shqetësuar me disa veprime të fundit, siç është një ngritje e dukshme e tarifave mbi mallrat e Serbisë dhe Kosova rrezikon për t’u bërë më e izoluar. Pra, pyetja ime për ata që janë në këtë dhomë, a synoni qëllimin për integrim euro-atlantik? Nëse po, si do të mund të ecim përpara në vitin 2019?”,tha ai duke u bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të bashkëpunojnë për ulur tensionet në vend.
Forcat e KFOR-it që nga dje filluan stërvitje në veriun e Kosovës duke pohuar se kjo është një stërvitje normale që nuk lidhet me zhvillime të caktuara. Admirali Fogo tha se stërvitjet ishin vendim i tij dhe komandantit të KFOR-it.
“Në çdo kohë që ne shpërndajmë trupat tona, është një shenjë që ne nuk kemi arritur qëndrueshmëri për një mjedis të qetë dhe të sigurt, në fakt është kthim prapa. Unë jam i interesuar për të ecur përpara, kështu që pyetja ime për Beogradin dhe Prishtinën është si do të mund të zvogëlojmë nevojën që KFOR-i të përgjigjet gjatë vitit 2019. Veprimi juaj duhet të jetë më i qartë se fjalët tuaja”,tha ai.
Beogradi dhe serbët e Kosovës, reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Beogradi tha se do të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e kësaj tarife, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit komunal në veriun e banuar me shumicë serbe dhanë dorëheqje dhe shkëputën cdo komunikim me Prishtinën.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Prishtina heqjen e tarifave.
Qeveria e Kosovës pohon se tarifat duhet të mbeten në fuqi dhe ato janë vendosur si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Fraksion.com