AktualitetOp-EdTë fundit

Studimi: Gjermanët bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj SHBA-së

Që kur SHBA qeveriset nga Donald Trump, gjermanët kanë filluar të distancohen nga vëllai i madh, Amerika. Në këtë përfundim arrin një sondazh i fondacionit Körber.

Gjermanët kanë shumë arsye t’i jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara: SHBA mbështeti Planin Marshall, e lidhi Gjermaninë me Perëndimin, e ndihmoi në ribashkimin dhe shumë më tepër. Por mbi miqësinë historike ka rënë një hije e errët: Presidenti Trump i detyron gjermanët të ndryshojnë prioritetet në politikën e jashtme. Megjithatë SHBA, është partneri i dytë më i rëndësishëm pas Francës. Por vetëm 35 përqind e gjermanëve janë të këtij mendimi, një vit më parë ishin 43 përqind. Politika e SHBA-së krijon shqetësim tek gjermanët. 28 përqind i shohin marrëdhëniet transatlantike si sfidën më të madhe të politikës së jashtme (ndërsa më 2017-n ishin 19 %). Shqetësim më të madh se kjo krijon vetëm politika e migracionit dhe refugjatëve.

Shumica kërkon rritjen e shpenzimeve për armatimin

73 përqind e gjermanëve i vlerësojnë marrëdhëniet bilaterale si të këqija dhe shumë të këqija. Edhe këtu shihet rritje në krahasim me vitin e kaluar kur shifra ishte 56 %. Kurse anasjelltas, 70 përqind e amerikanëve e shohin marrëdhënien me Gjermaninë si të mirë dhe shumë të mirë. Me sa duket ata vlerësojnë politikën e Angela Merkelit, më shumë se të presidentit të tyre. Ai nervozohet kryesisht që Gjermania nuk jep më shumë para për mbrojtjen. Në këtë pikë shumë gjermanë i japin të drejtë Trumpit: Një numër i konsiderueshëm prej 43 përqind e gjermanëve janë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes (më 2017-n ishin 32 %). 40 përqind duan që këto shpenzime të mbeten sa janë (më 2017 mendonin kështu: 51 %), 14 përqind duan t‘ i ulin shpenzimet.

Edhe Europa është shqetësim për Gjermanët

Por edhe në vendet më të afërta fqinje Gjermania nuk shikon arsye për t’u kënaqur. Shtimi i populizmit dhe nacionalizmit si dhe Brexiti e kanë bërë shikimin më të vrenjtur. Kështu për shembull 63 përqind e të pyeturve thonë se BE ndodhet në rrugë të gabuar, vetëm 32 përqind mendojnë se është duke u zhvilluar pozitivisht. 77 përqind e shohin bashkëpunimin midis vendeve të BE të dobësuar. Dhe vendeve që e bëjnë Gjermaninë përgjegjëse për këtë gjë ata nuk duan t’ u bëhen lëshime. Kështu për shembull gati dy të tretat thonë se britanikët nuk duhet të marrin të drejta të posaçme pas daljes nga BE. Vetëm 31 përqind përkrahin partneritetin e privilegjuar me Britaninë e Madhe. Dhe Hungaria e Polonia duhet të dënohen për largimin nga sistemi europian i vlerave. 74 përqind e gjermanëve janë të mendimit se Republika Federale duhet të fuqizohet në përdorimin e sanksioneve, si për shembull zvogëlimin e subvencioneve të BE./DW

 

Fraksion.com