AktualitetPolitikëTë fundit

Sandër Lleshi mesazh policisë: Udhëhiquni nga detyra, nderi dhe atdheu!

Sandër Lleshi, Ministri i Punëve të Brendshme ka organizuar sot një ceremoni për nisjen e detyrës në këtë funksion, duke bërë homazhe pranë memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarët e lartë të Ministrisë dhe drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Në fillim të ceremonisë ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë dhe më pas mbajti fjalën e rastit:

“Në një epokë turbulente, kur dallgët e relativizmit dhe të komercializmit kërcënojnë shumëçka, evokimi i vlerave të “vjetra” dhe tradicionale, e ka me vete njëfarë risku për të tingëlluar disi jashtë kohe.

Krejt i vetëdijshëm për këtë, unë dua megjithatë të citoj sot një pasazh nga fjala e gjeneralit e famshëm Douglas MacArthur përpara kadetëve të Akademisë Ushtarake West Point më 12 maj të vitit 1962, i cili besoj se i kursen të gjitha fjalët e mia rreth kësaj çështjeje shumë themelore:

“Detyra, nderi, atdheu: këto tri fjalë të shenjta në mënyrë solemne, ju diktojnë se çfarë duhet të jeni, çfarë mund të jeni dhe çfarë do të jeni. Ato janë pika juaj e referencës për të ndërtuar kurajë, atëherë kur ajo duket se po ju braktis; për të rifituar besim, atëherë kur duket se pak gjë ka mbetur për t’u besuar; për të krijuar shpresë atëherë kur ajo ka humbur. Të pabesët do t’ju thonë se këto janë vetëm fjalë, vetëm slogane, vetëm fraza boshe. Të gjithë pedantët, demagogët, cinikët, hipokritët, ngatërrestarët… do të përpiqen t’i zhvlerësojnë ato deri në skajin e talljes’‘, tha Lleshi.

 

Fraksion.com