AktualitetOp-EdTë fundit

Rusi-Ukrainë: Politikë e demonstrimit të forcës ushtarake nga Kremlini

Grindja mes Kievit dhe Moskës ka arritur një pikë të re vlimi. Ukraina shpalli ligjin e luftës në shumë rajone të vendit, shkak për këtë u bë incidenti i dhunshëm dhe konfiskimi i tre anijeve luftarake ukrainase nga Rusia në fundjavë. Këto anije Kievi donte që t’i staciononte në portet e Berdjanskit dhe Mariuopolit në Detin Azov pas kalimit në Odesë, Detin e Zi e përmes ngushticës së Kertshit. Rusia i ndali këto anije me dhunë bashkë me ekuipazhin e tyre. Disa marinarë ukrainas u lënduan.

Ukraina ka të drejtë në këtë çështje

Ukraina proteston me të drejtë kundrejt veprimit rus. Rusia shkel me këtë të drejtën ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat detare, si edhe një marrëveshje bilaterale mes të dy vendeve për  lundrimin në Detin Azov, të cialt të gjitha parashohin lëvizjen e lirë të anijeve, përfshirë edhe anijet ushtarake. Si në rastin e aneksimit të Krimesë dhe mbështetjen e dhënë për separatistët në Donbas, Kremlini edhe njëherë tregoi, se injoron marrëveshjet detyruese dhe nxjerr politikën e më të fortit.

Me të drejtë, Ukraina merr mbështetje ndërkombëtare. Partnerët europianë, si Gjermania, apo Kanadaja dhe SHBA janë me të drejtë në krah të ukrainës. Sepse vlerësimi politik dhe ligjor i agresionit rus është i qartë. Thjesht fakti që gati asnjë vend në botë nuk e ka njohur aneksimin e Krimesë, e rrëzon pretendimin rus, se Ukraina ka shkelur territorin rus.

A kufizohen të drejtat qytetare?

Por pse e shpalli presidenti ukrainas ligjin e luftës? Ai do të mobilizojë rezervistët dhe të forcojë me këtë mbrojtjen e vendit dhe sigurinë e informacionit. Por në gjendje lufte mund të kufizohen edhe të drejtat qytetare si për shembull e drejta e grumbullimit dhe lirisë së shprehjes apo mund të zbatohen masa ekonomike me detyrim. Poroshenko është betuar, se asgjë nga këto nuk do të ndodhë. Por ukrainasit megjithatë janë të trembur. Sepse dekreti i presidentit, të cilin e miratuan deputetët e parlamentit ukrainas të hënën është i paformuluar qartë në shumë pika.

Poroshenko e donte ligjin e luftës për 60 ditë dhe për të gjithë vendin. Pas një mbledhjeje kaotike të parlamentit dhe me shumë korrigjime, ai tani do të jetë në fuqi për 30 ditë dhe 10 rajone, në afërsi të territorit rus apo që kontrollohen nga rusët. Se si do ta përmirësojë kjo mbrojtjen e vendit është e paqartë.

Shumica e deputetëve të parlamentit ukrainas ishte e mendimit se kërkesat e presidentit ishin të ekzagjeruara. Duhet kujtuar, se më 31 mars të vitit të ardhshëm pritet të zgjidhet presidenti i ri i Ukrainës. Në fund të dhjetorit mund të fillojë fushata zgjedhore, pra për afër 30 ditë. Nëse ligji i luftës zgjat më shumë se 30 ditë, kjo i bën të pamundura zgjedhjet. Sepse faktikisht demokracia shfuqizohet në një situatë të tillë.

Ligji i luftës si manovër zgjedhore?

Vetëm pas debatesh të gjata, presidenti ukrainas hapi udhë. Në parlament ai e pa veten të ndeshej me reagime të forta. Të mos harrojmë që burrështeti i dikurshëm i fortë i Ukrainës tanimë është i dobësuar. Shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me Poroshenkon. Pesë vite pas lëvizjes gjithëpërfshirëse Majdan, që kërkonte një Ukrainë demokratike e luftë kundër korrupsionit, ripërtëritja e Ukrainës nuk ka filluar.

Nuk ka çudi që shumë ukrainas janë të shqetësuar për ligjin e luftës. Lufta e separatistëve në lindje të vendit e mbështetur nga Kremlini ka kushtuar më shumë se 10.000 jetë njerëzish. Megjithatë qeveria e Ukrainës ka bërë fjalë vetëm për një operacion antiterrorist.

Tani shpallet ligji i luftës, sepse anijet ushtarake merren në zotërim në Rusia në ngushticën e Kertshit. A është kjo një manovër zgjedhore e presidentit Poroshenko që ndodhet me shpatulla pas muri politikisht në vend? Tani kaq pak para zgjedhjeve kjo bën të ngrihen dyshime jo vetëm tek populli ukrainas, që nuk do të humbasë liritë demokratike, por edhe tek partnerët në perëndim, që kërkojnë çtensionim të situatës. Ndërsa Moska vazhdon me politikën e saj të demonstrimit të forcës ushtarake duke e vënë përpara Kievin./Bernd Johann, DW

 

Fraksion.com