Rama: Projekte ambicioze; Fshatin turistik do e fshijmë nga fjalori
Në Konferencën e investitorëve të turizmit, kryeministri Rama tha se sot do të firmosen disa marrëveshje të rëndësishme.
Ai ka kërkuar projekte ambicioze për turizmin në Shqipëri duke njoftuar një sërë risish.
Duke treguar se në 1929 më vend kishte 27 hotele dhe në vitin 2013, vetëm 30 hotele të certifikuara ka theksuar se investitorët janë të mirëpritur, por prioritar do të jetë hoteleria dhe nuk do të ketë më asnjë leje për fshatra turistikë.
“Këtë vit Shqipëria përjetoi sezonin më të mirë turistik dhe jo thjesht në çështje numrash për sa i përket 6 mln turistëve dhe mbi 2 mln euro të ardhurave nga turizmi si dhe rritjen më të lartë të punësimit në këtë sektor. Sot firmosen disa marrëveshje të një rëndësie shumë të madhe strategjike për imazhin e Shqipërisë turistike, përtej asaj që do sjellin në ekonominë e turizmit marka të kësaj rëndësie dhe këtij niveli ndërkombëtar, janë hotele që ne do të kishim dëshiruar t’i kishim në Shqipëri kohë më parë. I kemi parë gjithmonë në vendet fqinje dhe e kishim ëndërruar këtë ditë. Asnjë leje për fshatra turistikë që kthehen në zona banimi, për ata që kanë lekë të blejnë një vilë dhe pastaj ta mbajnë mbyllur.”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se jemi në fazën e realizimit të këtij kapërcimi të madh mes një turizmi të inercisë, një turizmi të ndërtuar mbi atë çfarë në ka dhënë Zoti, nisma kaotike, pa vizion afatgjatë që më shumë e kanë dëmtuar se sa ndihmuar rritjen e kësaj industrie.
“Në 2017 janë dhënë leje për ndërtim hotelesh më shumë se sa në 4 vite të mëparshme të marra së bashku dhe sipërfaqja totale e metrave katrorë hoteleri që do të krijohet nga lejet e dhëna në 2017 është një sipërfaqe më e madhe se sa sipërfaqja e ndërtuar për hotele në 10 vite më parë. Vitin e ardhshëm 5-fishim të kërkesave. Të dhënat e INSTAT flasin për një rritje edhe më të madhe në 2018…”, deklaroi shefi i qeverisë.
Ai gjithashtu tha do ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do zbardhen në dy faza, do bësh njëherë hotelin pastaj do marrësh lejen për të ndërtuar vila.
“Brandet e njohura për të cilat kemi krijuar një legjislacion, nuk mjaftojnë sepse duhet që në të gjithë vijën horizontale të zhvillimit t’u qëndrojmë besnikë disa parimeve themelore. Nuk mund të shkojmë në disa drejtime që janë drejtimet e të tjerëve. Duhet të kemi fizionominë tonë. Të bazohemi tek ekselenca në mikpritje.
Përqindja më e madhe e turistëve janë të tërhequr nga historia, trashëgimia, e veçanta e këtij vendi”, tha Rama.