AktualitetTë fundit

Unaza e re, protestuesit peticion Arta Markut; Thirrje mbështetëse për Daniel Drobajn

Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për 18-vjeçarin Daniel Drobaj, i cili akuzohet se hodhi kapsollën në drejtim të efektives së “Shqiponjave”, Ina Nuka, e cila u lëndua në dorë dhe qafë në protestën e banorëve të “Astirit” para Parlamentit. Por, pavarësisht vendimit të togave të zeza, pasdite në “Unazën e Re” është protestuar sërish, dhe këtë herë me thirrjet “O Daniel, o hero, gjithë unaza ty të do”.

Pas konfrontimit fizik gjatë paradites me Policinë Bashkiake dhe inxhinerët e ARRSH-së në terren, banorët tubimin e pasdites e kanë zhvendosur pranë mbikalimit të “Pallatit me Shigjeta”, duke e shoqëruar me thirrje kundër qeverisë dhe shembjes së banesave të tyre.

Gjithashtu, banorët që preken nga projekti i ‘Unazës së Madhe’ i kanë dërguar një peticion kryeprokurores Arta Marku, ku i shprehin asaj shqetësimin për vendimin që qeveria dhe bashkia kanë marrë, ndërsa i kërkojnë edhe ndërprerjen e punimeve.

Po ashtu në peticion kërkohet edhe lirimi i Dorian Protoduarit, Daniel Drobajt dhe 50-vjeçarit Ilias Sketiraj që qëlloi me këpucë në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, në protestën e pasdites ishin të pranishëm si zakonisht edhe deputetë të opozitës. Deputeti demokrat, Klevis Balliu, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për tu prishur shtëpitë banorëve.

“Është momenti që Rama të tërhiqet nga ky vendim korruptim. Nëse ai nuk do të tërhiqet, ai do të përballet me revoltën popullore. Dhuna e ushtruar ndaj Danielit kanë vetëm një përgjegjës dhe ai është Edin Kristaq Rama”, deklaroi Balliu./tch

 

Fraksion.com