AktualitetNATO/BETë fundit

Italia shpreson arritjen e marrëveshjes me BE

Përkundër shkeljeve të rregullave të Eurozonës, Italia shpreson se nuk do të përballet me masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh kryeministri i Italisë Giuseppe Conte, pas një takimi në Bruksel me Presidentin e Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker. Conte u shpreh i bindur se negociatat me BE do të sjellin rezultate pozitive dhe se do të evitohet procedura e ndëshkimit kundër Italisë.

Por ende mbetet e paqartë se çfarë lëshimesh mund të bëjë Italia për të evituar këtë procedurë, shkruan DW. Conte tha se ai nuk është për largimin e vendit nga rruga e reformave. Por ai ka theksuar disa herë më parë se nuk mund të bëhet fjalë për heqjen dorë nga kornizat e projektbuxhetit të propozuar në Itali, të cilin e ka kundërshtuar Brukseli. “Ne nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga gjërat që janë në interes të Italisë.”

Kryeministri i Italisë tha se ky nuk ishte takimi përfundimtar me Junckerin. Gjatë bisedimeve, sipas tij, është thënë se konsultimet duhet të vazhdojnë, sepse kjo është në interesin e të gjithëve. Conte ishte në Bruksel i shoqëruar nga ministri i Financave, Giovanni Tria.

Komisioni i BE ka kërcënuar Italinë me një procedurë për ndëshkim. Dënimi mund të kapë shifrën prej disa miliarda euro. Autoritetet në Bruksel kanë kërkuar që projektbuxheti i Italisë për vitin 2019 të korrigjohet, për shkak se ai parasheh mundësinë e futjes në borxhe të reja. Komisioni mendon se kjo është në kundërshtim me rregullat e Eurozonës.

Italia ka borxhe në vlerë prej 2,3 bilionë Euro – që do të thotë rreth 130% më shumë se fuqia e saj vjetore ekonomike. Në kriteret e Mastrihtit thuhet se një vend mund të ketë borxhe deri në 60% të prodhimit vjetor bruto në vend. Roma do të duhej të ulë borxhet dhe jo të futet në borxhe të reja. Qeveria populiste në Romë ka parashikuar që në vitin 2019 të marrë borxhe të reja. Deficiti i buxhetit të ardhshëm parashikon rritje prej 2,4%.

Qeveria italiane parashikon që me këto para të paguajë sigurimin social, të ulë tatimet dhe të ulë moshën e daljes në pension. Ajo ka kundërshtuar kërkesat për ndryshime. Nga Brukseli ka kërkuar “rregulla të veçanta”, ku do të merrej parasysh edhe domosdoshmëria e rregullimit të urave si ajo në Gjenova apo dëmet e reshjeve të shumta në Itali.

Zëvendëskryeministri i Italisë Matteo Salvini, thotë se ai e mbështet taktikën e Contes. Italia nuk do të tërhiqet. Salvini kërkon “respekt për 60 milionë italianët”. Vendi i tij, siç tha ai, nuk është i gatshëm të “durojë ofendime” nga Brukseli.

 

Fraksion.com