Ambasada amerikane kundër taksës për prodhimet serbe
E ngarkuara më punë në ambasadën amerikanë në Prishtinë, Colleen Hyland, shkroi të hënën në rrjetin social twitter se “rritja e tarifave për vendet anëtare të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore) nënkupton dhimbje për qytetarët e Kosovës, rritje tensionesh dhe dëmtim të namit të Kosovës”
Ajo shkroi se “udhëheqja strategjike, e jo reagimet emocionale, është e nevojshme për të siguruar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Qeveria e Kosovës vendosi më 21 nëntor, që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për anëtarësim në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.
Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës të cilët kanë paralajmëruar protesta të reja me kërkesën për heqjen e taksës. Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të CEFTA-s.
Vendimi shtoi tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Fraksion.com