Toka e Holandës po mbytet?!
Ndryshimet klimatike po luajnë një rol të dukshëm në Holandë. Sipas ekspertëve, ndryshimet e klimës po bëjnë që deti të gllabërojë më shumë tokë nga ç’ishte menduar.
Një ekip i Universitetit “Delft” të Teknologjisë doli në këtë konkluzion pas publikimit të shifrave të para kombëtare të fundosjes.
Ata përdorën “GPS” dhe të dhënat e radarëve, bashkë me matjet e gravitetit, për të prodhuar një hartë të posaçme të mbytjes. Për shembull, studimi tregon se qyteti perëndimor Gouda po zvogëlohet me 3 milimetra në vit.
“Ne kemi pompuar ujë prej 400 vitesh për të kultivuar tokën dhe rritur kafshët në tokë të thatë. Por toka ka rënë nën nivelin e detit. Ne e dinim këtë, por me këtë hartë të re shohim qartë se në perëndim të vendit, zhdukja e tokës duhej të ndodhte më ngadalë. Nëse kjo vazhdon me të njëjtat ritme, kjo do të sjellë fundin e panoramës tipike holandeze”, tha Ramon Hanssen, një profesor i gjeodezisë dhe vëzhgimit të tokës në universitet.
Universiteti njoftoi se, moti i thatë i kohëve të fundit po përshpejton avancimin e detit kundrejt tokës.
“Ndryshimet klimatike luajnë një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e mbytjes së tokës”, thuhet në raport.
Verat relativisht të nxehta po dehidratojnë tokën, duke përshpejtuar mbytjen. Procesi është i pakthyeshëm; toka oksidohet, që do të thotë se më shumë dioksid karboni çlirohet në atmosferë. Agjencia e Mbrojtjes së Ambientit përllogarit se mbytja e tokave do të kushtojë rreth 22 miliardë euro deri në vitin 2050.
Fraksion.com