Të hënën vlerësimi në terren për Unazën e Madhe
Ditën e hënë grupet e punës së inxhinierëve do të dalin në terren për të bërë vlerësimin e banesave që preken nga projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe.
Holta Deda, përgjegjësja e Sektorit të Sigurimit të Tokës në ARRSH tha se vlerësimi do të bëhet në prani të banorëve, duke i kërkuar atyre që t’i mirëpresin grupet e punës.
“Kjo në mënyrë që të mundësohet dalja e Vendimit të Këshillit të Ministrave me vlerat përkatëse të shpronësimit në një kohë sa më të shpejtë. Gjithë ekipi i inxhinierëve të ARRSH e ndjekin me një prioritet maksimal kryerjen e procedurave ligjore të shpronësimit të Unazës së Tiranës”, garantoi Deda.
Sipas saj deri tani janë pritur dhe sqaruar mbi 60% e qytetarëve të prekur nga projekti i Unazes së Madhe. Kjo është e konfirmuar dhe me listë prezencën dhe fotografitë nga sqarimet e zhvilluara pranë zyrave të ARRSH.
“Nga këta, 50 qytetarë kanë dorëzuar zyrtarisht dokumentet e pronësisë dhe kanë marrë një përgjigje zyrtare. Pra, deri më tani, 50% e qytetarëve që posedojnë dokumenta pronësie janë paraqitur pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Janë të lutur të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente pronësie të paraqiten sa më shpejt pranë zyrave të ARRSH ku punohet me orar të zgjatur deri në 20:00 të mbrëmjes”, u shpreh Holta Deda, përgjegjësja e Sektorit të Sigurimit të Tokës në ARRSH.
Fraksion.com