Osteoporoza, kategoritë që janë më të rrezikuara
Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Disa faktorë rreziku duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë. Këta faktorë mund të jenë të pandryshueshëm ose të ndryshueshëm.
Faktorë të pandryshueshëm janë:mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara), historia familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit me osteoporozë paraqesin rrezik për osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa ilaçeve (kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptikë, citostatikë), artriti reumatoid si dhe disa sëmundje kronike (keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj).
Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual apo të ndryshueshëm/të modifikueshëm, të cilët mund të mbahen nën kontroll.
Këta faktorë përfshijnë: konsumin e lartë të alkoolit, pirjen e duhanit, indeksin e ulët të masës trupore (nëse është < 19-20kg/m2, kjo rrit rrezikun për fraktura), ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina, marrjen e paktë/deficiti në vitaminë D, aktivitetin e paktë fizik, etj.
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhembshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”.
Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën.
Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.
Çdo person duhet të jetë i vetëdijshëm për faktorët e rrezikut personal që mund të ndikojnë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.