Katër të arrestuar në veriun e Kosovës
Në orët e mëngjesit të së premtes, policia e Kosovës arrestoi katër veta në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe në kuadër të hetimeve për vrasjen e politikanit lokal serb Oliver Inavoviç.
Policia tha se ka kryer kontrolle në katër vende dhe ka arrestuar tre persona që lidhen me hetimet dhe një tjetër për pengim të punës së zyrtarëve policorë.
Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar të këtij viti në veriun e Mitrovicës.
Katër të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe sipas medieve lokale serbe, njëri prej tyre është pjesëtar i policisë së Kosovës .
Grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në sheshin qendror në Mitrovicë.
Operacioni i policisë së Kosovës u krye në një periudhë tensionesh të larta politike pas vendimit të qeverisë së Kosovës për një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, që nxiti reagimin e Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi heqjen e saj.
Fraksion.com