Unaza e Madhe, Rama: Asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat e qytetarëve
Kryeministri Edi Rama, sot duke komentuar çështjen e dëmshpërblimit të banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës ka deklaruar se “S’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat e qytetarëve”.
Ai theksoi se, “ndër ata presona që e quajnë veten në “proces legalizimi”, janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private”.
Një pjesë e ndërtimeve në Unazën e Re që do shkatërrohen nga ndërtimi i rrugës, do dëmshpërblehen. Ato rezultojnë se janë me dokumente të rregullta dhe pronarët kanë marrë informacionin e duhur. Pjesa tjetër janë pa leje. Në listën e pronarëve që kanë ndërtime pa leje rezultojnë edhe persona që kanë deri në 7 ndërtime të ngjashme në qytete të ndryshme të vendit dhe nuk janë aspak të pastrehë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpjeguar se janë verifikuar mbi 102 ndërtime, të cilat kanë dokumente të rregullta në anën e Unazës së re. Ato do të shkatërrohen, por do të kompensohen të gjithë pronarët.
Sipas ARRSH rezultojnë 102 objekte me dokumente pronësie, 135 në proces legalizimi dhe 5 objekte që nuk kemi informacion.
Deri më sot janë paraqitur 38 kërkesa zyrtare nga qytetarë që kanë marrë një përgjigje zyrtare.
Një pjesë e madhe e banorëve të zonës rezultojnë të kenë marrë informacion në lidhje me procesin e kompensimit. Por ARRSH e ka zbuluar se një grup personash nuk janë aspak të pastrehë, ata kane disa objekte te ndryshme, pjesa me e madhe pa leje në disa qytete të vendit.
Në të gjitha ndërtimet janë vendosur shenjat e shembjes, ndërsa banorët po protestojnë.
“MIRËMËNGJES 🙂
dhe me këtë pasqyrë sqaruese të situatës ligjore në Unazën e Re, ku ndër ata që e quajnë veten në “proces legalizimi”, janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private, ju siguroj se s’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat tuaja dhe ju uroj një ditë të mbarë 😊”, shkroi Kryeministri Rama në Facebook.
Fraksion.com