Taksa 100% ndaj produkteve serbe, reagojnë Vuçiç e Mogherini: Anuloni vendimin!
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka takuar ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, si dhe ambasadorët e vendeve të “Quint”-it në Beograd, pas vendimit për rritjen e taksave nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, nga 10 në 100%.
Në grupin e “Quint”-it bëjnë pjesë Gjermania, SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç kërkon që kjo taksë të hiqet. Sipas tij, këto vendime janë shkelje e rëndë e rregullave të “CEFTA”-s. Presidenti serb tha ndër të tjera se “dialogu ka edhe rregulla, sepse duhet respektuar pala tjetër”.
“Ne po presim që pala tjetër të kryejë punët e saj dhe të vendoset në anën e civilizimit. Kur ta bëjnë këtë, dialogu do të vazhdojë menjëherë”, tha Vuçiç.
“Ju kërkoj të tërhiqni vendimin tuaj. Ne duhet të ulemi dhe të biem dakord për një marrëveshje dhe kompromis. Ju duhet të negocioni me ne. Amerikanët, ose kushdo tjetër nuk do t’iu ndihmojë”, u shpreh më tej Vuçiç.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave është quajtur nga mediet serbe “skandaloz” dhe në kundërshtim të plotë me rregullat e “CEFTA”-s. Sipas tyre, kjo masë do të shtojë edhe më shumë tensionet në rajon.
Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka thënë se vendimi është marrë për të mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të vendit, në kohën kur Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet të bllokojë Kosovën në të gjitha fushat ndërkombëtare.
Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ata nuk mund të veprojnë ndryshe, në kohën kur Serbia bllokon Kosovën.
“Jemi dëshmitarë se, prej një kohe të gjatë Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që të gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit, pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA nuk ka funksionuar mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Haradinaj.
Një ditë më parë, edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të tërheqë vendimin për rritjen e taksës. Përmes një deklarate për mediet, ajo tha se ky vendim është shkelje e marrëveshjes për tregti të lirë, e njohur si “CEFTA”, dhe Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin.
Fraksion.com