AktualitetBota+Të fundit

Replika mes presidentit dhe kreut të Gjykatës së Lartë

Presidenti Trump dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts kanë shkëmbyer replika në një përplasje publike të pazakontë lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në Shtetet e Bashkuara. Gjykatësi Robert iu kundërvu haptazi kritikave të Presidentit Trump ndaj një gjykatësi federal, të cilin zoti Trump e cilësoi “Gjykatës i Obamës”. Gjykatësi në fjalë kishte bllokuar rregulloret e administratës për politikat mbi azilantët.

Në një deklaratë të fortë, kreu i Gjykatës së Lartë Roberts u kundërvihet komenteve të presidentit duke theksuar se gjyqësori gëzon pavarësi politike dhe duke shtuar se nuk ekzistojnë gjykatës të njërit apo tjetrit president.

Është hera e parë që Gjykatësi Roberts, i emëruar nga një president republikan, ka shprehur kritika ndaj presidentit. Presidenti nga ana e tij ka shprehur shpesh kritika ndaj gjykatësve që kanë bllokuar rregulloret e tij.

Presidenti komentoi në Twitter duke thënë “Gjykatësi Roberts mund të thotë ç’të dojë, por Distrikti i 9-të Gjyqësor (lexo: distrikti ku vepron gjykatësi që bllokoi urdhëresën e administratës Trump) është tmerr. Ka dalë jashtë kontrolli, ka një nam shumë të keq, dhe vendimet që merren në këtë distrikt rrëzohen në përqindje më të larta se në çdo distrikt tjetër… Gjykatësit nuk duhet të merren me detyrën e ruajtjes së sigurisë,” shkruan presidenti.

Në të kaluarën rrallë herë kanë komentuar presidentët duke përmendur me emër dhe duke kritikuar një anëtar të Gjykatës së Lartë. Po ashtu, është i pashmebullt në kohët moderne reagimi kritik i kryetarit të Gjykatës së Lartë ndaj komenteve të presidentit.

 

Fraksion.com