AktualitetTë fundit

Ministri Lleshaj: Policia është goditur edhe nga përfaqësues politik

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka vizituar në ambientet e Spitalit Ushtarak 12 efektivët e policisë, të cilët mbetën të plagosur nga protesta e banorëve të Astirit. Këta të fundit ndaluan protestuesit që të futen brenda në Kuvend dhe përleshja mes palëve solli lëndimin e 12 efektivëve të cilët ishin në krye të detyrës.  Në një deklaratë për mediat, ministri Lleshaj tha se efektivët e policisë u goditën edhe nga përfaqësues të caktuar të politikës.

“Kam ardhur për të ndjekur policët e dëmtuar dhe qytetarët e dëmtuar. Është për të ardhur keq, është e papranueshme, e pakuptueshme që në një ditë normale të ndodhin gjëra anormale. Të goditet policia e shtetit në krye të detyrës. Konstatojmë që policia është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të ligjit ngrenë dorë mbi policinë. Po ashtu policia është goditur nga përfaqësues të caktuar politik që në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike inspirojnë dhunë ndaj forcave të policisë Shpreh solidaritet për policët që përballojnë skena të papranueshme dhe të panevojshme.

Sot kemi një konflikt të disa qytetarëve që janë të pabazuar në ligj me autoritetet civile, ky konflikt nuk ka pse të s’postohet tek punonjësit e rendit. Dua t’ju bëj një thirrje qytetarëve, të kuptojnë që policia është policia e tyre dhe kush ngre dorë ndaj saj ngre dorë ndaj vlerave dhe simboleve kombëtare. I bëj thirrje edhe përfaqësuesve politik të caktuar që të distancohen nga dhuna dhe të vihen në mbështetje të policisë, që është policia jonë, policia e qytetarëve.

Qytetarët të kuptojnë mirë që qeveria është e angazhuar për të plotësuar detyrimet përballë çdo individi, edhe ndaj atyre që preken nga projekti i Unazës së re. Toleranca edhe e tepruar e policisë ndaj akteve të dhunës nuk duhet kuptuar si akt dobësie”, tha Lleshaj.

22 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Fraksion.com