AktualitetOp-EdTë fundit

Letra e Edi Ramës: Për ata që janë prekur nga fjalimi im për Mid’hatin dhe thonë se iu “ula kokën” veteranëve

Nga Edi Rama

I dashur Fatos,

Një mik i përbashkët ma dërgoi dhe kësisoj e lexova me vëmendje intervistën Tuaj në Dita lidhur me kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri.

Jam disi i keqardhur që një ngjarje e tillë të jetë bërë shkas për një pezëm personal dhe familjar që çon deri në pikëpyetje të ndërgjegjes. Po jam edhe po aq i çuditur për nxitimin me të cilin, rikonstatoj se është dëgjuar e gjykuar më shumë se sa lexuar e kuptuar fjala ime në një ceremoni, të përgojuar sipas meje pa kurrfarë të drejte.

Dëshiroj të qartësoj diçka sidoqoftë dhe shkurtimisht, në lidhje me pohimin se “Kryeministri i Shqipërisë ka rehabilituar një kolaboracionist, u ka “ulur kokën” veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare deri në poshtërim dhe ka autorizuar zhvillimin e një ceremonie të “shproporcionuar”.

Së pari, Mid’hat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës, për çka është akuzuar, gjykuar, vrarë e rivrarë dhe varrosur e rivarrosur në mungesë, me baltën e e miliarda herë leximeve të nekrologjisë së tij politike, për shumë dekada.

“Rehabilitimi” ose jo i tij, si edhe i kujtdo tjetër në histori, i përket vetëm historisë, së cilës, në ditët tona dhe në vendin tonë, askërkush nuk mëton t’ia diktojë penën, hulumtimet e përfundimet.

Dhe historia, siç Ju më mirë se unë e dini, është larg së qënuri bardh e zi e këtu, besoj më lejohet t’Ju kujtoj Juve, po edhe t’ua sjell para syve atyre fitimtarëve të luftës prej ku Mid’hat Frashëri doli i mundur, të cilët sot mund të ndjehen si i respektuari babai Juaj, një shembull tejet kuptimplotë besoj. E kam fjalën për homazhin që Gjenerali Dë Gol, udhëheqësi lavdiplotë i Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, i bëri kryetarit të Qeverisë Kolaboracioniste të Vishisë, Marshallit Peten, të cilit, megjithëse i dënuar me vdekje nga një gjykatë e ngritur sipas të tëra rregullave të artit, pas luftës, vetë ai, Presidenti Dë Gol i fali jetën duke i’a kthyer dënimin në syrgjyn të përjetshëm.

Ja ç’thotë kryeheroi i Francës për kryekolaboracionistin e Francës:

“Ndonëse mjerisht, në kohë më të herëta, tek i afrohej dimri i mbramë i jetës, mes ngjarjesh epërsisht të ndërlikuara, mosha e thyer e shpuri Marshallin Peten në gabime të dënueshme, lavdinë që pat korrur në betejën e Verdënit, atë lavdi që pat merituar në Verdën, 50 vjet më parë dhe që e mishëroi gjatë gjithë kohës, duke udhëhequr ushtrinë franceze drejt fitores, atdheu nuk mund as t’ja mohojë dhe as t’ja lërë në harresë”.

E pra i dashur mik, Mid’hat Frashëri, i cili nuk kryesoi dhe as mori pjesë në ndonjë qeveri kolaboracioniste të Tiranës së viteve’40, nuk lëshoi si Pierre Laval, urata mbi fitoren e nazi-fashistëve dhe nuk u bë asnjëherë ideolog i braktisjes së aleatëve në favor të fuqive të Boshtit, i kishte edhe ai apo jo(?) disa merita, madje madhore në historinë e Shqipërisë!

Jo vetëm aq, po Firmëtari i Pavarësisë së Shqipërisë, padrejtësisht dhe verbërisht me gjithsej i anatemuar si të ishte djalli vetë, nuk mënoi të njihte meritat e luftëtarëve anti-fashistë dhe as ngurroi të vinte gishtin mbi kolaboracionistët e bindur dhe agjitatorë, çka edhe e nënvizova jo pa qëllim në fjalën time:

“Shumë prekës – këtë përsëri duhet ta dëgjojnë, të gjithë ata të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë karikaturizuese për Mid’hat Frashërin, – është homazhi i tij ndaj rinisë shqiptare dhe luftës së saj kundër armikut dhe po ashtu nderimi që ai i bën, me fjalët e tij, 30 mijë dëshmorëve të atdheut, ndonëse sipas tij, liria e Shqipërisë u uzurpua pas kësaj lufte.

Dhe ja çfarë thotë në artikullin, “Përpjekja e Shqipërisë”, botuar në gazetën “Flamuri”, pikërisht ai, udhëheqësi i Ballit Kombëtar:  “Në fakt, më shumë se 400 fshatra dhe shumë lagje të qyteteve u shndërruan në gërmadha. Mijëra e mijëra banorë mbetën pa strehë, pa të ardhme. Ende sot, shihen rrënimet e këtyre shkatërrimeve dhe varret e të rënëve, nga Peja, në Gjakove, deri në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe në gjithë jugun e vendit, rreth 30 mijë luftëtarë e viktima të rënë, nuk do t’i shohin më familjet e tyre, as atdheun e tyre. Ata u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë!”

Akoma më tej i nderuar Profesor, Kryetari i Kongresit të Manastirit i përkiste një familjeje, e cila (pa përmendur babain dhe ungjit e tij), strehoi dhe shpëtoi mu në mes të asaj lufte prej ku ai doli i mundur, një familje të tërë hebreje të kërcënuar nga shfarosja. Ju me siguri e dini se mbiemri Frashëri sot shenjon, në memorialin e Yad Vashem-it në Jeruzalem, një fis të tërë, fisin e Mid’hat Frashërit, të nderuar si “I Drejtë mes Kombeve”. Le ta mësojnë edhe ata që s’e dinë.

Atyre veteranëve të Nacionalçlirimtares që si babai Juaj janë pezmatuar prej gjestit a fjalës sime, preferoj t’u parafrazoj këtu një gjykim të një tjetër figure botërisht të njohur të rezistencës, presidentit francez Fransua Miteran, mbi një çështje të ngjashme, duke u thënë se po, e kuptoj ndjeshmërinë, sikundër e gjej të papranueshme fshirjen me një të rënë të lapsit të kontributeve individuale dhe të sakrificave të shumëkujt që në fakt paraprinë dhe madje e frymëzuan, prej dekadash, Luftës Nacionalçlirimtare që me plot të drejtë nderojmë krenarisht.

Lavdia e punëtorëve të Rilindjes kombëtare dhe të shtetformimit në Shqipëri në çerekshekullin e tij të parë, ndër të cilët shkëlqen emri i Mid’hat Frashërit, nuk mund as të mohohet, as të lihet në harresë dhe as të fshihet me një të rënë të lapsit. E çfarë lapsi se ai plumb fare, i historisë së shkruar nga fitimtarët e asaj lufte të lavdishme, pas së cilës siç e thotë edhe Mid’hat Frashëri (e unë këtu jam dakord me të dhe mbase jo me babain Tuaj të nderuar), “liria e Shqipërisë u uzurpua”! E thënë ndryshe dhe mbase kuptohemi edhe me babanë për “uljen e kokës”, ashtu siç besoj se gaboi rëndë kushdo u përpoq t’u ulë kokën veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare pas rënies së komunizmit, duke glorifikuar në tym Ballin Kombëtar, po ashtu besoj se gabon rëndë kushdo që sot e gjykon Mid’hat Frashërin, thjesht me kutin e fitimtarit të asaj lufte.

Në nëntor 1944, Mid’hat Frashëri në Shkodër, në shtëpinë e Rojve, u drejtohet të pranishmëve duke u thënë, “Marr përgjegjësinë t’ju deklaroj se e çbëjmë organizatën e Ballit Kombëtar. Ajo e kreu misionin e vet historik. Ne humbëm luftën, por jo shpresën”. Këtë quaj unë “ulje koke” Profesor dhe pjesa ku duhet të ulin kokën, sipas meje, jo veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare, po komunistët e pasluftës që sot e gjykojnë Mid’hat Frashërin, a thua se jemi të nesërmen e fitores së luftës, e jo plot 28 vjet nga data zyrtare e vdekjes së shpresës që solli fitorja e tyre(!), ka të bëjë jo me atë luftë po me krimet që u bënë në emër të fitores së saj!

Ja pra, kështu e shoh unë i dashur mik këtë punë. Shpresoj shumë që nëpërmjet kësaj letre t’Ju kem yshtur ta rilexoni ndryshe fjalën time në atë ceremoni të vonuar.  E vërteta sipas Aristotelit do ta donte pastaj që t’i ndani frytet e rileximit edhe me babain Tuaj, veteranin e nderuar e me plot të drejtë kryelartë për Luftën Nacionalçlirimtare. Të cilit, bashkë me të falat e mia të përzemërta, Ju lutem t’i përcillni dhe lutjen time të mirëkuptimit për nevojën e kokëuljes së sinqertë, jo përpara Mid’hatit, po përballë historisë që rrodhi pas asaj lufte.

Sinqerisht i Juaji

ER

 

Fraksion.com