Haradinaj: Taksën nuk duhet ta heqim derisa Serbia ta njohë Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj importit të mallërave serbe nuk duhet të hiqe derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Deklaratën Haradinaj e bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për politikën e Jashtme të vendit.
“Unë mendoj se masat që kemi vendosur ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përheshme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet ta heqim” tha Haradinaj.
Ai më tutje bëri thirrje të mos ketë tërheqje ndaj këtij vendimi edhe përkundër faktit se mund të ketë siç tha “ lutja, përkrahje apo këshilla si kundërvlerë për këto masa”.
Deklarata e kryeministrit Haradinaj bëhet një ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi të rrisë taksën doganore ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës nga 10 përqind sa ishte deri tani në 100 përqind.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që kjo taksë të hiqet menjëherë pasi përbën shkelje të marrëveshjes së tregëtisë së lirë, e njohur si CEFTA.
Fraksion.com