Arsimi, Rama: Po mbyllim klasat e përqendrimit
Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e buxhetit 2019 për Arsimin, iu referua edhe mbylljes së klasave kolektive.
“Ata që i lanë klasat kolektive në sistemin arsimor le të vënë kujën dhe le të hidhen përpjetë e t’u thonë shqiptarëve se ne po mbyllim shkolla. Ne nuk po mbyllim shkolla, por po mbyllim klasa përqendrimi, ku fëmijët bëjnë sikur mësojnë. Kjo është e vërteta me të cilën do vazhdojmë të përballemi, pavarësisht të gjithave”.
Ai theksoi se në këto klasa fëmijët nuk bënin mësim, dhe pavarësisht gjithçkaje, këto klasa do të vazhdojnë të mbyllen.
Në vend të tyre, në buxhetin e Arsimit të vitit të ardhshëm janë parashikuar fondet e duhura për të garantuar transportin e nxënësve.
“Kemi rritur shumën që do vendoset për transportin e nxënësve dhe jo vetëm kaq, dhe jo vetëm që më vjen shumë mirë që me vendosmëri e guxim Ministria e Arsimit ka çuar para procesin e mbylljes së klasave kolektive, por ne do e vazhdojmë këtë”, tha Rama. “Ne nuk po mbyllim klasa kolektive, por klasa përqendrimi”, theksoi ai.
Fraksion.com