Maqedoni, arrestohet ish shefi i sigurimit Mijalkov
Policia e Maqedonisë tha se ka arrestuar ish-shefin e shërbimit të sigurimit, Sasho Mijalkov për shkak të informatave se ai po përgatitej për t’u arratisur.
Zotit Mijalkov i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh dhe është dërguar në burgun e Shuto Orizares në Shkup.
Gjykata Themelore njoftoi se arrestimi është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Zoti Mijalkov akuzohet për një vepër penale në çështjet e njohura me emrat “Target”, “Fortesa”, “Tortura” dhe së fundmi “Perandoria”. Ai ishte i pranishëm të martën në seancën ku po zhvillohej procesi kundër tij.
Zoti Mijalkov është kushëriri i parë i Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.
Sasho Mijallkov konsiderohet si njeri me shumë fuqi dhe ndikim. Mendohet se ishte ai që solli Gruevskin në postin e kryeministrit, ku qëndroi për më tepër se dhjetë vjet.
Fraksion.com