AktualitetBota+Të fundit

Interpoli zgjedh presidentin e ri. Nuk është kandidati rus

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, e cila po zhvillon punimet e Kongresit të përvitshëm në Dubai, ka zgjedhur kandidatin nga Koreja e Jugut, Kim Jong-yang, në postin e presidentit. Ai do të vijojë mandatin e Meng Hongweit, deri në vitin 2020.

Me zgjedhjen e tij, 194 vendet anëtare të organizatës ndërkombëtare policore kanë refuzuar kandidatin rus, Alexander Prokopchuk, i cili shihej gjerësisht si pretendenti për të pasuar kinezin Meng Hongwein, i cili fillimisht “u zhduk” në vendlindjen e tij Kinë, gjatë shtatorit, ndërkohë që më vonë, Pekini zyrtar informoi Interpolin se ai kishte dhënë dorëheqjen pasi ishte akuzuar për ryshfet.

Një ditë më parë, një kor gjithnjë e në rritje kritikësh i bëri thirrje Intepolit që të refuzonte kandidatin rus për të udhëhequr organizatën ndërkombëtare policore, për shkak të frikës se Moska do të abuzonte me presidencën e saj për të shënjestruar kundërshtarët politikë.

Kremlini, nga ana e tij denoncoi atë që e quajti “ndërhyrje” në votim.

Shqetësimet pati për shkak të aplikimeve të mëparshme të Rusisë për të ashtuquajturat “alarme të kuq” në Interpol, urdhërarreste ndërkombëtare për ata që kanë dalë hapur kundër Kremlinit.

Në një letër të hapur gjatë kësaj jave, një grup bipartizan senatorësh amerikanë thanë se, duke zgjedhur Prokopchukun do të ishte ngjashëm si të vije “dhelprën në ruajtje të një koteci”.

“Rusia abuzon në mënyrë të vazhdueshme me Interpolin, me qëllimin për të gjetur dhe kapur një sërë kundërshtarësh politikë, disidentë apo gazetarë”, shkruajnë ata. Senatorët thonë madje se Prokopchuk është “përfshirë personalisht” në këtë strategji, që kur është zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit.

 

Fraksion.com