AktualitetOp-EdTë fundit

Rödder: “Frika e re nga Gjermania”

Evropa ka frikë nga fuqia ekonomike e Gjermanisë, jo nga fuqia e saj ushtarake, thotë historiani Andreas Rödder, në intervistën e javës për DW. Njëkohësisht nga Gjermania kërkohet të marrë rol udhëheqës – Dilemë e madhe.

“Unë kam më pak frikë nga pushteti gjerman, sesa nga mungesa e aktivitetit gjerman”, deklaroi në vitin 2011 ministri i atëhershëm i Jashtëm i Polonisë Radoslav Sikorski, në një fjalim të mbajtur në Berlin. Një fjali e tillë, siç thotë në një intervistë për DW historiani Andreas Rödder, ka qenë e pamundur të dëgjohet para viteve 1990 – e më së paku nga Polonia.

Ndërkohë në Varshavë po dëgjohen tone krejtësisht të tjera. Atje qeveria partia nacional-konservatore PiS, kryetari i të cilës është Jaroslav Kaczynski, i cili asokohe donta ta nxirrte Sikorskin para gjykatave për shkak të kësaj deklarate. Raportet mes këtyre dy vendeve edhe sot komentohen me tone te ndryshme. “Nga Gjermania ka sot pritje të tjera – t’a udhëheqë Evropën”, thotë historiani Rödder. “Por njëkohësisht Gjermania po konfrontohet me dilema, për zgjuarjen e frikës së vjetër, se Gjermania do të ushtrojë superfuqinë e saj në Evropë.”

Ndaj Gjermania dhe politikanët e saj janë në dilemë. Në njërën anë Gjermania duhet të jetë e kujdesshme. E në anën tjetër Gjermania duhet të vendosë për gjërat e domosdoshme, të cilat e bëjnë Evropën të aftë të konkurrojë në skenën botërore politike.” Kur ke parasysh historinë dhe sfondin e zhvillimeve, kjo është një detyrë shumë e vështirë.

Diktati gjerman dhe çështja e refugjatëve

Një zgjidhje e thjeshtë nuk ekziston. Gjermania duhet ta kuptojë seriozisht këtë detyrë në rrafshin e institucioneve të BE, por edhe në nivelin nacional. Gjermania duhet të tregojë vetëbesim, por pa dëmtuar interesat e të tjerëve”, thotë Rödder. “Gjermania ka bërë një gabim të rëndë në kohën e krizës së refugjatëve”, thotë Rödder, duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave nga shtatori i vitit 2015. Asokohe disa vende udhëheqëse kanë vendosur, megjithë kundërshtimet e disa vendeve të tjera, që ato të marrin kontigjente të caktuara të refugjatëve. “Kjo është kuptuar si një diktat gjerman.”

Gjermania dhe trashëgimia kulturore

Në këtë kontekst është manifestuar edhe një veçori e historisë gjermane, e cila shprehet edhe në një studim të bërë së fundi. Evropianët janë pyetur në këtë studim nëse kulturën e tyre e çmojnë më shumë se kulturat e vendeve tjera fqinje, 46% e gjermanëve kanë votuar “Po”. Ndërkohë që kjo përqindje tek francezët ishte vetëm 23 %.

Rödder mendon se kjo ka lidhje edhe me trashëgiminë që nga koha e luftërave të Napoleonit. “Kur shoqëritë evropiane në fillim të shekullit 19 filluan të kuptojnë veten si shtete, francezët kaherë e kanë pasur shtetin e tyre.” Ndërsa gjermanët kanë jetuar pas Perandorisë së shenjtë romake me 1806 në të ashtuquajturin “mozaik”, me Prusinë dhe Austrinë si fuqi hegjemoniste si dhe shumë principata dhe qytete të lira.

Gjermania asokohe nuk ekzistonte, ndaj gjermanët filluan të kuptohen si një lloj kombi kulturor. “Kjo lloj vetkuptueshmërie ka pasur gjithmonë një pasojë – perceptimin e vetvetes si një komb me vlerë më të lartë kulturore dhe morale.” Këtë mund ta gjejmë edhe sot: “Të shikojmë vetëm kulturën e mirëseardhjes në vjeshtën e vitit 2015, kur mendohej se jemi në anën e duhur nëse ndihmojmë.”

Kriza e Euros, kancelarja dhe Hitleri

Gjermania ishte në një pozitë edhe më të vështirë në kohën e borxheve dhe krizës ekonomike 2010 –  2015. “Në Evropë asokohe gjejmë dy histori krejtësisht të ndryshme”, pohon Rödder. Njëra ku thuhet se është reaguar tepër vonë dhe tjetra ku thuhet se Gjermania vullnetarisht ka pranuar të garantojë për borxhet e një vendi tejtër.

Gjermania në njërën anë u detyrua të luajë rol vendimtar. E kur vërtet e mori këtë rol dhe u krijuan ombrellat dhe planet e shpëtimit financiar, shumë vende anëtare të Eurozonës mendonin se kjo nuk është në rregull. Pjesë e këtyre planeve ishin edhe ato për kursime masive, që nga disa vende u kuptua si diktat i Gjermanisë. Demonstruesit në Greqi e krahasonin Angela Merkelin madje me Hitlerin.

“Veçoria e stereotipeve është se ato mund të riaktivizohen gjithmonë”, thotë Rödder. Gati çdo vend në Evropë ka ndonjë histori lufte me Gjermaninë. Ndërsa në rastin e Greqisë kjo ka të bëjë me kohën e pushtimit në Luftën e Dytë Botërore.

Frika nga fuqia ekonomike e Gjermanisë

“Frika në Francë, e cila është partnerja më e rëndësishme, rezulton që nga lufta e viteve 1870/71 dhe përvojat traumatike të Francës.” Por kjo ka të bëjë edhe me dy luftërat botërore. Ndonëse Franca ishte në anën e fituesve, ishte e qartë se këtë fitore nuk do të mund ta arrinte pa ndihmën e vendeve të tjera.

Këto shqetësime nuk kuptohen më si kërcënime, thotë Rödder. Por shqetësimi ka të bëjë me fuqinë ekonomike të Gjermanisë. “François Mitterand fliste në vitet 80-të për bombën atomike gjermane, duke menduar për Markën gjermane dhe Bankën Federale të Gjermanisë.”

“Në kohën kur ekonomia është më e fuqishme se fuqia ushtarake, Gjermania konsiderohet më e fuqishmja”, thotë Rödder. “Ndaj Gjermania me këtë fuqi duhet të jetë konstruktive dhe operative në Evropë.”

Trashëgimia e Merkelit dhe përfytyrimi i Gjermanisë

Pikërisht këto dy kriza e kanë shënuar fuqinë e trashëgimisë së Angela Merkelit në rrafshin evropian. Por kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme tek fqinjtë evropianë. “Në njërën anë mendohet se ajo ka evituar shkatërrimin e institucioneve evropiane”, thotë Rödder. “E në anën tjetër kjo ka shkaktuar përçarje në Evropë, në veçanti në kohën e krizës së refugjatëve.” Madje edhe në Britani të Madhe thuhet shpesh se politika e Merkelit ndaj refugjatëve ka bërë që sot të kemi votën për Brexit./Jan D. Walter, Catherine Martens.

 

Fraksion.com