Trump: Raporti i plotë rreth vrasjes së Khashoggit pritet të martën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump thotë se është plotësisht i informuar për një regjistrim audio të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll muajin e kaluar, por nuk ka ndërmend ta dëgjojë atë për shkak të dhunës që përshkruan.
“Është një regjistrim i tmerrshëm”, tha Trump për kanalin Fox News të dielën në një intervistë në Shtëpinë e Bardhë që u regjistrua të premten.
“Është shumë e dhunshme, dhe e tmerrshme,” tha Trump.
Administrata Trump po shpreh rezerva lidhur me njoftimet që citojnë një zyrtar amerikan të ketë thënë se agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Princi Saudit i Kurorës urdhëroi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Presidenti Donald Trump u informua të shtunën nëpërmjet një telefonate nga drejtorja e CIA-s Gina Haspel dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ndërsa ndodhej në bordin e avionit presidencial Air Force One, rrugës për në Kaliforni.
Më vonë, pasi vizitoi shkatërrimin e lënë pas nga zjarret në jug të Kalifornisë, presidenti Trump foli për gazetarët rreth një artikulli të botuar të premten nga gazeta The Washington Post.
“Ata nuk kanë vlerësuar ende asgjë, është shumë herët, ishte një raport shumë i parakohshëm, por kjo është e mundur. Do të shohim kur të kemi raportin e të martës, i cili do të jetë i plotë. Ndërkohë, ne jemi treguar të ashpër ndaj disa njerëzve për të cilët jemi të sigurtë se ishin të përfshirë”.
Vlerësimi nga CIA, i njoftuar së pari nga The Washington Post, kundërshton atë të Arabisë Saudite, prokurori i së cilës një ditë më parë e shfajësoi princin e Kurorës për vrasjen e Khashoggit.
Zyrtarët amerikanë thonë se CIA arriti në përfundimin se 15 agjentë sauditë shkuan në Stamboll me një avion të qeverisë saudite dhe e vranë Khashoggin në konsullatën saudite.
Khashoggi ka shkruar për gazetën The Washington Post dhe ishte një kritik i princit të kurorës të Arabisë Saudite.
Fraksion.com