AktualitetTë fundit

Thellohet skandali i testimit të gradave në Policinë e Shtetit

Thellohet skandali i testimit të gradave në Policinë e Shtetit. 88 efektivë janë ankuar në Zyrën e Burimeve Njerëzore të Akademisë së Policisë pas hetimeve tënisura nga SHÇBA e Prokuroria.

Një numër i konsiderueshëm oficerësh që kanë marrë pjesë në të dyja testimet për gradat Komisar dhe Kryekomisar kanë depozituar ankesa dhe pranë sindikatës së policisë.

Kjo  e fundit është duke përgatitur një padi gjyqësore ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, lidhur me parregullsitë e konstatuara në këtë proces.

Kryetari i Sindikatës Sadetin Fishta tha për Ora News se në emër të policisë do i drejtohet gjykatës për sigurim padie për verifikimin e të gjitha veprimeve gjatë procedurës duke kërkuar dhe anulimin e veprimeve të paligjshme.

Më 7 nëntor mbi 400 oficerë morën pjesë në testimin për gradën komisar por rezultatet që dolën brenda ditës u anuluan nga  kreu i policisë Ardi Veliu i cili urdhëroi që provimi të përsëritej më 15 nëntor. Në këtë datë, Veliu mori një vendim të ri për të anuluar pa afat testimet e gradave me qëllim përgatitjen e tezave të reja pas dyshimeve për shitjen dhe parregullsinë e pyetjeve në testimin e parë.

Efektivët e policisë kanë pretenduar se në të dyja testimet u është dhënë rëndësi pyetjet me zhvillim duke vlerësuar me vetëm 0.8 pyetjet me alternativa që korigjohen me pajisjen kompjuterike Skantron.

Në këtë mënyrë 50 pyetjet me alternativë që korigjohen me kompjuter grumbullohen 40 pikë, ndërsa 60 pikët e tjera grumbullohen nga përgjigjet me zhvillim që korigjohen nga komisioni i testimit duke krijuar dyshime për favorizim të personave të preferuar nga strukturat drejtuese të policisë.

Pjesëmarrësi në testim për kryekomisar mbikqyrës provimi

Në testimin për gradën Komisar janë shpallur fitues vetëm 30 pjesëmarrës që arritën të merrnin më shumë se 70 pikë, ndërsa policia e shtetit ka aktualisht 130 vende të lira për këtë gradë.

Një tjetër parregullsi është dhe administrimi i dokumentacionit në zyrat e Policisë së Shtetit. Sipas rregullores, testimet dhe çdo dokument i lidhur me to mbahet brenda Akademisë së Policisë. Në testimin për gradën kryekomisar rezulton se mbikqyrës i procesit ka qenë dhe komisar Arjan Zoto i cili rezulton pjesëmarrës dhe fitues në konkurs me 87 pikë.

 

Fraksion.com