AktualitetTë fundit

Maltë, shqiptari mësyn zonën ushtarake të aeroportit, i drejton armën ushtarëve

Një shqiptar i cili ishte në kërkim për vjedhjen e një dyqani bizhuterie  është arrestuar pasi kishte hyrë në zonën e repartit ushtarak ajror në Safia të Maltës si dhe i ka drejtuar armën ushtarakëve.

Përpara se të hynte në kazermë, ai u përpoq të kërcente mbi një gardh për të hyrë në aeroport, por nuk ia arriti dot. Policia është duke hetuar arsyen përse donte të bënte këtë shqiptari i identifikuar me emrin Begtash Muka.

Të shtunën në mëngjes, (17 nëntor), forcat e sigurisë të parkut të aviacionit arritën të dallonin një makinë të zezë në zonën e parkimit të makinave të aeroportit, që u ndal pranë murit që e ndante këtë hapësirë nga zona e parkimit të avionëve.

Televizioni i Maltës informoi disa minuta më vonë se drejtuesi kishte hipur në tavanin e makinës në përpjekje të kapërcente gardhin dhe të hynte në zonën e ndaluar të aeroportit pranë avionëve të parkuar të kompanisë Medavia.

Kur shqiptari pa ushtarët që po e ndiqnin, ai kapërceu rrugën dhe u hodh mbi një barrierë sigurie për të hyrë në zonën ushtarake.

Menjëherë nisi ndjekja duke kërkuar dhe asistencën e e oficerëve Shërbimit të Paraburgimit të cilëve 27 vjeçari u ka drejtuar armën.

Në momentin kur ai është rrethuar nga ushtria është dorëzuar dhe ka lëshuar armën.

Në hetime është i përfshirë dhe një inspektor i skuadrës së antiterrorit.

Sipas televizionit maltez, makina që kishte përdorur shqiptari ishte me targa të vjedhura.

Televizioni Maltez ka publikuar pamje të operacionit të arrestimit të shqiptarit i cili për shkak se ishte lënduar kur kishte kërcyer nga muri është lënë në tokë deri në momentin kur ka mbërritur një ambulancë.

Pas kontrollit të makinës u zbulua se brenda ka pasur një sasi droge, raporton Ora News.

Më pas u mësua se 27 vjeçari Begtash Muka ishte në kërkim prej një viti pasi kishte vjedhur një dyqan bizhuterish në qytetin Sliema të Maltës.

Vlera e bizhuterive të vjedhura kapte shifrën e 500 mijë eurove.

Vëllai i tij, Daniel Muka ishte arrestuar pas tentativës për vrasjen e një polici.

Policia ende po heton për të zbuluar shkaqet për të hyrë në aeroport me armë dhe pastaj si arriti të hyjë në zonën ushtarake.

Nuk është përjashtuar as pista e hetimit të tentativës së largimit të tij nga Malta apo planifikimi i ndonjë akti kriminal në aeroport.

Fraksion.com