SHBA, sanksione ndaj 17 sauditëve të dyshuar për rol në vrasjen e Khashoggit
Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj 17 shtetasve sauditë lidhur me dyshimet për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, në konsullatën e Riadit në Stamboll.
Në mesin e atyre ndaj të cilëve u vendosën sanksione është një ish-ndihmës i lartë i Princit të Kurorës, Saud al-Qahtani si dhe konsulli i Përgjithshëm i Arabisë Saudite Mohammed Alotaibi.
“Këta individë të cilët vendosën nën shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara, duhet të përballen me pasoja për veprimet e tyre,” tha në një deklaratë të enjten sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin.
Sanksionet do të zbatohen nën Aktin Global Magnitsky për Lirinë dhe të Drejtat e Njeriut, i cili vë në shënjestër ata që kryejnë abuzime të rënda me të drejtat e njeriut dhe akte korrupsioni. Njoftimi ishte disi i papritur për shkak se Shtetet e Bashkuara vendosin rrallë sanksione ndaj Arabisë Saudite.
Mnuchin tha gjithashtu se Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për të përcaktuar se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe që të gjithë ata që janë përgjegjës për vdekjen e gazetarit të japin llogari.
Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve disa orë pasi Prokurori Publik i Arabisë Saudite kërkoi dënimin me vdekje të pesë personave të dyshuar për vrasjen e gazetarit Khashoggi.
Gazetari i Washington Postit dhe kritiku i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, u vra më 2 tetor gjatë një vizite në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë.
Një zëdhënës i zyrës së prokurorisë tha të enjten se Khashoggit iu injektua një substancë vdekjeprurëse dhe pasi vdiq, trupi i tij u pre në copa.
Zyrtarët sauditë kanë ndryshuar disa herë variantin e tyre mbi ngjarjen. Fillimisht ata thanë se ai ishte larguar nga konsullata, më pas se kishte vdekur gjatë një përleshje në konsullatë duke mbritur tek varianti se ai u vra gjatë një “operacioni që shkoi keq”.
Prokurori tha se dënimi me vdekje kërkohet për pesë persona “të cilët akuzohen se kanë urdhëruar dhe kryer vrasjen”, ndërsa gjashtë të tjerët, të akuzuar për lidhje me vrasjen, do të marrin siç u tha, “dënimet e duhura”.
Arabia Saudite kërkoi gjithashtu ndihmën e Turqisë për sigurimin e provave dhe informacioneve nga hetimet që ata po kryejnë.
Prej muajit të kaluar Turqia ka publikuar herë pas here detaje lidhur me ngjarjen. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se urdhri për të vrarë Jamal Khashoggin ka ardhur nga “nivelet më të larta” të qeverisë saudite.
Zyrtarët sauditë i kanë hedhur poshtë akuzat që Princi i Kurorës të jetë përfshirë në vrasjen e gazetarit.
Fraksion.com